75 Mall Live Search
14:24 / E Hënë, 21 Mars 2022 / B O

Një vit i Qeverisë Kurti, shefja e deputetëve raporton për punët e bëra: Barazi gjinore, rend e ligj, luftim i krimit dhe së shpejti Vetting

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, një ditë para se të shënohet përvjetori, para mediave, ka numëruar të arriturat e kësaj Qeverie.

Ajo tha se për herë të parë një Qeveri e ka luftuar krimin dhe korrupsionin, dhe ka rikthyer aktivitetin ekonomik.

“Nesër bëhet një vit që kur Qeveria Kurti e ka marr mandatin për të qeverisur. Ka qenë vit dinamik, vit i cili u karakterizua me efektet e pandemisë gjatë gjithë vitit. Një vit që ka shënuar një progres në aspektin e rritjes ekonomike. Vit i cili ka rikthyer aktivitetin ekonomik dhe ka hapur mundësi të reja për vendime, dhe mundësi të investimeve në vitin që jemi. Qeveria është ballafaquar me një mori problemesh kronike të shumë viteve më herët, kjo është vërejtur edhe gjatë plotësimit dhe ndryshimit të bordeve të agjencive të ndryshime që kanë ardhur për votim në kuvend. Qeveria ka proceduar një numër rekord të projektligjeve gjatë një viti, janë 109 projektligje në aspektin e gjithëpërfshirjes”.

Ndër të tjera, Kusari-Lila përmendi edhe avancimin e barazisë gjinore. Ajo poashtu tha se ka pasur sukses edhe në rend dhe ligj.

“Një Qeveri që ka pasur në fokus të veçantë në avancimin e barazisë gjinore. Jemi siguruar që të ruajmë barazinë gjinore, qoftë edhe me 50/50 apo 40/60. Ka pasur sukses të jashtëzakonshëm në rend dhe ligj, gjegjësisht në zbulimin e grupeve kriminale. Hera e parë që një Qeveri e ka luftuar krimin e organizuar. Kemi parë aksione të vazhdueshme”, u shpreh Kusari-Lila.

Tutje, Kusari-Lila tha se nuk mund të kërkohen zgjidhje brenda vitit për problemet që janë krijuar brenda dekadave, megjithatë ajo tha se do të bashkëpunojnë me opozitën dhe do të jenë të hapur ndaj kërkesave të qytetarëve.

“Është tepër me rëndësi të thuhet se ka filluar reforma e mirëfilltë edhe në sistemin ligjor. Hapat e parë që janë bërë për pasurinë e pajustifikuar, Vettingun. Kosova tashmë mund të thotë se ka qenë rast i veçantë për funksionimin e mirëfilltë të shtetit. Në një kohë të ndjeshme, Qeveria Kurtia e ka treguar stabilitetin dhe përcaktimin e saj drejt vlerave të mirëfillta. Mbesim të përkushtuar në tri vitet e ardhshme, të kemi bashkëpunim me opozitën dhe të jemi të hapur ndaj kërkesave dhe problemeve për qytetarët. S’mund të kërkohen zgjidhje brenda vitit për problemet e krijuara brenda dekadave”, tha ajo.