75 Mall Live Search
21:08 / E Diele, 04 Janar 2026 / MSH1

Një vit jo i lehtë për SOS Fshatin, shtohet numri i fëmijëve që kanë nevojë për ndihmë

SOS Fshati i Kosovës është shndërruar në adresën kryesore për fëmijët që kanë rrezikuar humbjen e kujdësit prindëror.

Ndonëse u përballen me një vit jo të lehtë në aspektin financiar, Berat Kryeziu deklaroi për IndeksOnline se në SOS Fshat këtë vit u ndihmuan mbi 600 fëmijë në rrezik të humbjes së kujdesit prindëror dhe u mbështeten 200 familje në rrezik të shpërbërjes.

Aktualisht, në SOS Fshat sigurohet kujdesi dhe mbrojtja e 27 fëmijëve që s’kanë përkujdes prindëror.

“Burimet kryesore të financimit kanë qenë: mbështetja institucionale lokale dhe qendrore (në një vlerë të konsiderueshme, por të pamjaftueshme për të gjitha nevojat), kontributet nga SOS Norvegjia, dhe fonde të mbledhura brenda vendit nga biznese dhe individë. Sigurimi i fondeve mbetet sfida kryesore për vitin e ardhshëm; megjithatë, kemi shpresë në vazhdimësinë e mbështetjes institucionale dhe në angazhimin e komunitetit dhe sektorit privat” deklaroi Kryeziu.

Ai thotë se kushtet në SOS janë të përshtatshme për ofrimin e shërbimeve, teksa stafi gjithnjë e më shumë bën përpjekje në avansimin e shërbimeve dhe mirëmbajtjen e elementeve që posedojnë, e që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë dhe mirëqënien e fëmijëve në SOS Fshat.

Nga kjo strehë shpresëdhënëse për shumë fëmijë, gjatë ketij viti janë larguar tre fëmijë.

“Vendimet për largim janë marrë bazuar në vlerësimet e Qendrave për punë sociale përkatësisht kujdestarët ligjorë të fëmijëve. Ky proces është bërë në koordinim dhe bashkërendim me institucionet përkatëse, duke u bazuar në vlerësimin se ribashkimi i fëmijëve me familjet e tyre ose vendosja e tyre nën kujdes farefisnor të përshtatshëm është në interesin më të mire për fëmijën” tha Kryeziu.

Teksa tre u larguan nga hapësirat e SOS-it, gjatë këtij viti pati edhe pranime të fëmijëve të rinj.

“Gjatë vitit kemi pranuar fëmijë të rinj sipas nevojave individuale dhe vendimeve të institucioneve përkatëse; vendosja e fëmijëve në programin e shërbimeve bërë në bazë të vlerësimeve dhe referimit të rasteve nga Qendrat për punë sociale dhe kapaciteteve tona për t’u ofruar një plan të personalizuar kujdesi dhe mbrojtjeje” pohon Kryeziu.

Stafi në SOS Fshat është i ndarë në kujdestar, social dhe psikologjik, që vazhdimisht punon me fëmijët, në mënyrë që të mos iu mungojë asgjë.

“Stafi jonë ka ofruar kujdes të përditshëm, vlerësime individuale, mbështetje psikologjike dhe shërbime sociale për t’u siguruar fëmijëve një mjedis stabil dhe zhvillues. Përveç punës së përditshme, kemi implementuar ose konsoliduar programe zhvillimore orientuese—p.sh. aktivitete edukative pas-shkollore, seanca zhvilluese për aftësi sociale, dhe trajtime individuale psikologjike—që synojnë rehabilitimin emocional dhe përgatitjen për integrim afatgjatë (arsimor dhe social)” deklaroi Kryeziu.

Ndonëse në mosha të ndryshme dhe me prapavijë që dallon njëra nga tjetra, fëmijët në SOS Fshat, mbi të gjitha, kanë nevojë të madhe për përkujdes emocional, psikologjik, shëndetësor dhe arsimor.

Kryeziu pohon se të gjitha këto nevoja rrjedhin nga përjetimi i traumave të ndryshme, pasigrua dhe mungesa e stabilitetit familjar, që janë edhe arsye përse fëmijët dërgohen në SOS, në radhë të parë.

Sipas Kryeziut,këto nevoja  adresohen përmes vlerësimeve fillestare, mbështetjes psikologjike, kujdesit shëndetësor, përfshirjes në arsim dhe aktivitete socializuese.

Ai pohon se stabiliteti dhe mirëqënia e të gjithë fëmijëve në Fshat synohet nëpërmjet planeve individuale të zhvillimit dhe mbështetjes shumë-dimensionale.

Megjithatë, sigurimi i fondeve stabile, në mënyrë që të vazhdojë ofrimi i shërbimeve dhe përmbushja e nevojave bazike të fëmijëve, ka qenë sfida më e madhe e vitit për SOS Fshatin.

Për këtë arsye, Kryeziu pohon se janë vënë disa prioritete për vitin që po vjen, përfshirë sigurimi i një modeli të qëndrueshëm financiar, në bashkëpunim si me institucionet, ashtu edhe me doantorët.

SOS Fshati planifikon po ashtu të forcojë bashkëpunimin me sektorin privat dhe komunitetin lokal, avancimi i investimeve infrastrukturore të nevojshme për përmirësimin e kushtet e jetesës, dhe ngritja e kapaciteteve të stafit për ofrim të shërbimeve më cilësore

“Një prioritet po ashtu është përmirësimi i programeve të ribashkimit dhe i shërbimeve për familjet në rrezik, në mënyrë që më shumë fëmijë të rikthehen në mjedisin familjar kur kjo është e mundur dhe e sigurt”  përfundon Kryeziu./IndeksOnline/