75 Mall Live Search
11:02 / E Premte, 01 Janar 2021 / OSH

Një vit ndryshe nga të tjerët – Koronavirusi

Viti 2020 ishte ndryshe nga vitet e kaluar. Jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por për tërë globin.

Covidi-19 ka ndryshuar jetën e të gjithëve, duke lënë shenja e zbrastësi të mëdha.

Qytetet u mbyllën, ekonomia u shua, njerëzit u izoluan e koronavirusi ndikoi edhe në afërsinë e njerëzve, shkruan IndeksOnline.

Derisa shumë persona humbën vendin e tyre të punës për shkak të pandemisë, dikujt iu shtua fluksi i punëve.

Personeli shëndetësor në spitalet dhe klinikat e Kosovës u përball me një numër të madh të të pacientëve, si pasojë e rritjes së të infektuarve me virusin vdekjesprurës.

Por, si ndryshoi ecuria e punës dhe jeta e infermierëve në Kosovë?

Fitim Havolli, infermier në Klinikën Infektive, ku trajtohen pacientët me Covid-19, në një prononcim për IndeksOnlinen ka rrëfyer ditën kur u konfirmua rasti i parë me Covid-19 në Kosovë.

Havolli tregoi edhe për sfidat derisa u shërua nga infektimi me koronavirusin që ishte prekur gjatë punës.

Ai e konsideroi këtë vit si një vit të tmerrshëm dhe të frikëshëm.

13 mars 2020, Rasti i parë në Kosovë në Klinkën Infektive,

Rutinë në punë, diskutime për shënimin e ditës së infermierëve. Në TV flitej që një virus vdekjeprurës po bënte kërdinë në shtetet e lindjes dhe se me shpejtësi të madhe po vinte drejt nesh.

Isha kujdestar kur na lajmëruan nga IKSHPK-ja, që rasti i parë u konfirmua dhe ai rast ishte në repart ku unë punoja dhe menjëhere u bëra gati dhe hyra në dhomë.

Këtu fillon tregimi im për këtë vit, ndryshe nga të tjerët dhe i cili nuk gjendej as në ëndrrat e mia më të thella.

Ishte dita kur u detyrova ta lusja bashkëshortin time nëpëmjet telefonit që ajo dhe tre fëmijët  e mi Tuani 11 vjeç Tuana 8 vjeç dhe Liana e vogël cila i kishte vetëm 4….5 muaj, të ndahemi dhe të jemi 14 ditë të ndarë pa dashje nga ta dhe  sipas rekomandimeve të OBSH-së në atë kohë.

E vetmja gjë që më shkonte në mende në atë ditë dhe që nuk iu rrefejsha askujt ishte se, a do të mund ta shihja më familjen time apo jo? Vërtet ishte shumë e rëndë, si për mua, po ashtu edhe për bashkëshortën time Fitoren.

Ditët po kalonin dhe midis shumë betejave fituam rastin e parë ku personi i parë mbijetoi dhe bashkë  ia dolëm ta mposhtnim virusin e pamëshirëshëm.

Po ashtu ka edhe raste të tjera që e humbëm betejën dhe fatkeqësisht pacienti vdiste.

Tmerr, pasiguri, frikë e shumë paqartësi. Çdo ditë me shpresën se ky virus po largohet por… Ditët janë të gjata, trupi po na digjej nga rrobat e llastikta, të cilat i mbanim të veshura për t’u mbrojtur nga virusi  për 12 orë punë të rregullta , 11 orë pareshtur dhe sy hapur.

Uri dhe etje e madhe. Lodhja po na mundte çdo ditë, por është shpresa, misioni dhe profesioni ynë human, që na mbante me shpresën se së shpejti do të ngadhënjenim.

Ditën e filloj me vizitën në çdo dhomë, te secili pacient. E dhimbshme kur çdo ditë e gjej nga një shtrat të zbrazët, sepse një pacient shkoi në amshim.

Por po ashtu, ishte edhe gëzimi dhe vullneti që na vinte kur nga një gjendje tepër e rëndë që mund të ishte pacienti, në fund ishim  fitimtar të  një beteje në raport me koronavirusin!

Nuk ka më e rëndë se për gjithë profesionistët shëndetësorë kur bëjnë të pamundurën për ta shpëtuar një jetë dhe ajo fatkeqësisht përfundon me fatalitet, por po ashtu,  nuk ka më kënaqësi për profesionistët kur puna, angazhimi dhe profesionalizimi i tyre triumfon me suksese dhe merr falënderimet me të sinqerta nga vetë pacientët dhe nga të afëmit e tyre!

Uroj që si ky vit që kaluam të mos e përjetojmë kurrë më…. ishte viti më i tmerrëshem dhe më i frikëshmi, që ka njohur njerëzimi në mbarë botën”, tha ai.

Ndërkaq gazetarja, Jehona Zhitia, që përcjell me vite të tëra shëndetësinë s’kishte se si ndryshe të vepronte veçse edhe këtë herë të ishte në krye të detyrës duke raportuar nga çasti në çast, nga minuta në minutë, në lidhje me të gjitha zhvillimet që lidheshin me Covidin-19 në vendin tonë.

Ajo edhe vetë derisa po raportonte nga Klinika Infektive e duke pasur kontakt të vazhdueshëm me personelin shëndetësor, ishte prekur nga Covidi.

Por betejën kundër Covidit, ajo nuk e ndalë, vazhdon raportimin e saj për publikun kosovar.

Në një prononcim për IndeksOnline ka treguar raportimin gjatë kësaj kohe.

“Dallimi midis përgatitjes së një kronike televizive apo edhe raporti të shkruar dallon nga raportimi i drejtpërdrejtë nga vendi i ngjarjes, sidomos në kohë pandemie kur gjithçka vazhdon të jetë e re dhe e panjohur për gjithë njerëzimin, ndërkaq rreziku nga virusi është shumë i madh dhe çdo dite po kemi jetë te humbura. Kam pasur informacione të ndryshme, të cilat kanë kaluar për gjithë këtë kohë nëpër mua, por asnjëherë nuk kam plasuar informacion pa e konfirmuar nga personat zyrtarë, anipse burimet e mia ishin shumë të besueshme, por në këso rrethanash kur populli është sy e vesh për të parë se çfarë po ngjante duhet pasur kujdes tepër të madh se çka raporton një gazetar”, tha Zhitia.

E, ata që ishin më të prekurit në këtë kohë ishte sektori i gastronomisë, ku u detyruan të mbylleshin që në fillim të pandemisë.

Edhe pas lirimit të masave, përsëri kishte kufizime të mëdha për kafenetë e restorante ku një numër i madh i bizneseve u shuan tërësisht dhe larguan dhejëtra punëtorë nga puna.

Arian Vranica nga Gatronomia e Kosovës për IndeksOnlinem ka treguar për humbjet që kanë pësuar bizneset, kryesisht kafenetë dhe hotelet.

Ai tha se këtë vit kanë pësuar humbje 65% në krahasim në vitin e kaluar dhe rreth 11 mijë punëtorë kanë humbur vendet e punës.

“Vetëm në tremujorin e dytë kur ka qenë mbyllja totale e sektorëve ne kemi pasur humbje në 10.5 milionë. Në tremujorin e dytë kemi 64% ulje në krahasim me vitin 2020, e në tremujorin kemi qenë më mirë, me  61% ulje. Ne na nevojitet nga 3 deri në 12 muaj për t’u kthyer në gjendje normale.

Deri në tetor 59% të bizneseve kanë punuar me humbje, 11% prej tyre kanë qenë rentabile dhe 13% do të falimentonin nëse do të vazhdonin bizneset të mbylleshin në orën 19:00, e 2% e bizneseve janë deklaruar se mund të mbijetonin pa ndonjë ndihmë. Në bazë të statistikave kredibile rreth 27 mijë punëtorë sa punojnë në sektrorin e gastronomisë, 11 mijë prej tyre janë larguar nga puna”, tha ai.

Se aktiviteti ekonomik ishte i dobët këtë vit e thotë edhe ekonomisti Mustafë Kadriaj.

Kadriaj për IndeksOnlinen tha se “si rezulat i sjelljes aspak  dinjitoze e politikës në Kosovë mbeti në hije ndikimi i pandemisë në ekonominë e vendit”.

Meqë fjalia është ajo e cila i përmbledh shkaktarët e një problematike në rastin e ekonomisë se Kosovës mund të permbledhemi me një fjali të thjesht për faktin që kallxuesi vlërsoi që ishte pandemia ndërsa kryefjala është politika. Nëse nisemi nga kjo perspektivë vlerësoi që pandemia bëri ndikimin e vet për faktin që bota dhe ne si vend u mbyllëm në shtëpitë tona për dy muaj duke u paralizuar bizneset dhe ekonomitë familjare e cila dha efektin e vet ekonomik natyrisht negativ por edhe mbas lirimit të masave në muajt maj dhe qershor bizneset humbën hapin duke vazhduar aktivitetin ekonomik me çalime ku rezultoi me aktivitet të dobët ekonomik, uljen e mirëqenies te qytetari.

Ndersa kryefjala ishte politika e cila për fat jo të mirë e rëndon edhe më shumë duke dhënë shembullin më të keq në nivel rajonal dhe botërorë ku dy subjektet  fituese me plot premtime për një qeverisje ndryshe ndërsa bisedimet zgjatën me muaj dhe me të krijuar Qeverinë si rezultat i kryeneqësisë së  ish- kryeminstrit Kurti dhe ambicieve të LDK-se mjaftuan 55 ditë për të prishur Qeverinë, duke thyer përfundimisht shpresën e qytetarit që në këtë vend nuk ka shpresë për të jetuar. Me të marrë mandatin qeverisës z.Hoti me gjithë premtimet për të relaksuar raportet me SHBA-në dhe të një ekonomie më liberale koha tregoi që ishte Qeveria më e dobët e njëherit Qeveria më e kontesuar për nga numrat ku e vërtetoi edhe Gjykata Kushtetusese.

Si rezulat i sjelljes aspak  dinjitoze e politikës në Kosovë mbeti në hije ndikimi i pandemisë në ekonominë e vendit”, shtoi ai.

Edhe këngëtarët ishin ata që mbetën pa punë këtë vit, për shkak të masave të Ministrisë së Shëndetësisë për ndalimin e tubimeve, ku hynin ahengjet, dasmat e koncertet.

Këngëtarja e njohur, Rema Canolli, gjersa tha se ajo nuk asnjë alternativë tjetër përpos këndimit, kritikoi Qeverinë që nuk dha asnjë ndihmë për këtë kategori.

“Duke e ditur që dasmat janë burimi kryesor i të ardhurave, normalisht që jemi dëmtuar, pasi 99% e dasmave janë anuluar dhe nuk kemi pasur mundësi pune gjatë gjithë kësaj sezone. 

Unë nuk kam pasur fare alternativë tjetër, pasi që nuk punoj tash e sa vite punë tjetër përpos këndimit dhe e keqja është se as nga shteti nuk kanë pasur asnjë lloj ndihme”, tha ajo për IndeksOnline.

Ndërkohë, sociologët dhe psikologët vlerësuan se ky vit do të mbahet mend si një vit që ndikoi në mënyrën tonë të jetesës duke ndryshuar qasjen tonë në raport me shëndetin, higjienën duke na bërë neve më të vetëdijshëm.

Sociologu, Labinot Konushevci për IndeksOnlinen tha se dhuna dhe frustrimi janë disa nga pasojat negative të karantinës.

“Pandemia, në anën tjetër, ka krijuar pasiguri, ka shpërfaqur skepticizmin e një pjese të shoqërisë që është viktimë e konspiracioneve, dhe në anën tjetër, ka rikthyer vëmendjen e shëndetit publik. Depresioni lidhet me izolimin, frikën dhe panikun, pasigurinë dhe kufizimin, dobësimim ekonomik dhe humbjen e vendeve të punës, faktorë të cilët kanë ndikim emocional, psiqik dhe social. Frika dhe pasiguria janë të natyrshme, por paniku i pakontrolluar jo. Dhuna dhe frustrimi, janë nga pasojat negative, të cilat, nën ndikimin pandemik të karantinës, treguan krizën ekzistuese të familjes si institucion dhe grup shoqëror”, tha ai.

Ndërsa, psikologia, Brikena Krasniqi, tha se frika, pasiguria, stresi që ka dominuar te njerëzit përgjatë këtyre muajve të pandemisë, ka rënduar në masë të madhe gjendjen emocionale te njerëzit.

“Frika për shëndetin e vet dhe të familjarëve, humbja e vendeve të punës dhe ndryshimet tjera që kanë ndodhur në jetën e njerëzve si pasojë e pandemisë normalisht që ka lënë efektet e saj. Është  rritur niveli i stresit, ankthit, depresionit e posaçërisht është rritur ndjenja e vetmisë dhe humbja e shpresës. Kjo ka ndikuar posaçërisht te njerëzit me sëmundje kronike dhe tek ata që kanë pas histori të mëhershme të problemeve psikologjike. Po ashtu mirëqenia emocionale tek adoleshentët dhe fëmijët është dëmtuar po ashtu, për shkak të vështirësive për të zhvilluar jetën sociale e cila është e nevojshme për zhvillimin e mirëfilltë të tyre.

Mënyra se si reagojmë ndaj përballimit me këtë pandemi është ndryshe te secili person, sepse secili individ është unik në personalitetin e tij. Kjo gjë poashtu varet edhe nga mbështetja familjare dhe shoqërore që kanë, por edhe nga gjendja finaciare dhe shumë faktorë tjerë përreth”, shtoi ajo./IndeksOnline/