Një vit nga funksionalizimi i PET/CT në QKUK – Mbi 500 pacientë përfituan shërbim falas që kushton deri në 1300 euro në sektorin privat

Sot është bërë një vit që nga fillimi i ofrimit të shërbimit me aparaturën moderne PET/CT në Shërbimin Klinik të Mjekësisë Nukleare, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Gjatë këtij viti janë realizuar gjithsej 523 incizime PET/CT, duke i mundësuar qindra pacientëve të përfitojnë këtë ekzaminim falas – një shërbim që në sektorin privat kushton nga 1,000 deri në 1,300 euro.
Ky shërbim, veçse ka lehtësuar barrën financiare për qytetarët, ka sjellë edhe përparim të madh në diagnostikimin e hershëm dhe të saktë, sidomos në fushën e onkologjisë.
Instalimi dhe funksionalizimi i PET/CT u bë i mundur falë angazhimit të Fondacionit “Jahjaga”, me përkrahjen e çmuar të Fondacionit “Al Walid” nga Arabia Saudite.
Që nga instalimi i aparaturës në shkurt të vitit 2024, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka organizuar trajnime intensive për personelin mjekësor, përfshirë:
Katër javë trajnim për stafin e mesëm,
Trajnime disa javore dhe mujore për specialistët e Mjekësisë Nukleare në Hungari, Maqedoninë e Veriut dhe Turqi.
ShSKUK ka shprehur mirënjohje të veçantë për profesionalizmin dhe përkushtimin e stafit të Klinikës së Mjekësisë Nukleare, i cili ka bërë të mundur ofrimin e pandërprerë të këtij shërbimi kompleks.
Ky shërbim me PET/CT në QKUK do të vazhdojë të jetë në dispozicion për të gjithë ata që kanë nevojë, si pjesë e përkushtimit të ShSKUK për avancimin e vazhdueshëm të sistemit publik të shëndetësisë në Kosovë.