21:03 / E Shtunë, 26 Nëntor 2022 / MSH

Një vit nga vrasja makabër në Gllogjan, hetimet vazhdojnë

Mbrëmja e 26 nëntorit të vitit të kaluar përfundoi me tragjedi për tri familje kosovare.

Në një atentat me armë të kryer në drejtim të një autobusi që po bartte nxënës në relacionin Gjakovë-Gllogjan, mori jetën e tre personave, dhe plagosi në këmbë një tjetër.

Sulmi me armë në drejtim të autobusit privoi nga jeta nxënësen Genta Mustafaj, nxënësin Ledion Hamzaj, si dhe shoferin e autobusit, Gani Gjokaj.

Disa ditë pas sulmit, më 11 dhjetor, organet e drejtësisë në Pejë njoftojnë se janë arrestuar tre të dyshuar lidhur me sulmin.

Halil Mehmetaj u arrestua bashkë me dy djemtë e tij, Kreshnikun e Malsorin, si të dyshuar për krimin mizor të mbrëmjes së 26 nëntorit.

Këtij të fundit iu zbut masa në arrest shtëpiak, më 10 janar, ndërkaq dy të tjerëve iu vazhdua masa e paraburgimit.

Një muaj më vonë, më 6 shkurt, edhe një të arrestuari i shqiptohet masa e paraburgimit prej një muaj, bazuar në dyshimin së i njëjti ka të bëjë me rastin në fjalë.

Një vit më vonë pas ngjarjes, hëtimet janë duke vazhduar.

Indeksonline ka kontaktuar Gjykatën dhe Prokurorinë e Pejës, për të pyetur mbi vazhdën e hetimeve dhe verdiktin finaël të rastit.

“Kjo çështje penale është ende në fazën e hetimeve dhe Gjykata nuk është kompetente që të përgjigjet në pyetjet që kanë të bëjnë me hetimet e zhvilluara nga Prokuroria” deklaroi Tringa Zhuti, nga Gjykata Themelore në Pejë.

Edhe Prokuroria Themelore ishte më e rezervuar në ndarjen e informacionit, për shkak të rëndësisë së mospengimit të hetimeve.

“Lidhur me çështjen penale për të cilën keni parashtruar pyetje, ju njoftojmë se jemi në fazën intensive të  veprimeve hetimore, andaj duke mos e cenuar procesin hetimor, nuk mund të japim me shumë informata.

Pas përfundimit të hetimeve do të njoftojmë opinionin publik me rezultatet e arritura në këtë proces penal” thuhet në përgjigjën e Prokurorisë për Indeksonline.

Kujtojmë se, motivi i sulmit ndaj autobusit në Gllogjan dyshohet të jetë i lidhur me vetëvrasjen e 20-vjeçares nga Deçani, Heroina Mehmetajt, e cila i dha fund jetës së saj më 14 qershor të vitit 2020./Indeksonline/