75 Mall Live Search
09:30 / E Mërkurë, 23 Mars 2022 / OSH

Një vit qeverisje Kurti, Tahiri: Një vit pas Kosova është në udhëkryq pa vizion, e qytetari më i varfër

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka thënë se është dita e parë e vitit të dytë me qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti, ndërsa qytetari i Kosovës është më i pasigurt dhe më i pashpresë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Tahiri ka ironizuar me qeverinë Kurti II, duke thënë se deklarata populliste ‘Krejt dhe Drejt’ ishte parulla që konfirmon se mungesa e një plani të qartë, është vetë plani i stagnimit.

Sipas tij, puna e vetme e mirë e kësaj qeverie është vetëm krijimi i Fondit të Sigurisë.

Postimi i plotë:

Në ditën e parë të vitit të dytë me qeverinë Kurti II, me problemet globale e mosveprimin nacional qytetari i Kosovës, është më i pasigurt dhe më i pa shpresë.

‘Krejt dhe Drejt’ ishte parulla, që konfirmon se mungesa e një plani të qartë, është vetë plani i stagnimit.

Deklaratat populliste, u treten si fluska, kapja, ç’ kapja, avancuan në deklarime qesharake për punësime, shkarkime e ngarkime, me filtera e bojlera, pa ndonjë rezultat.

Një vit pas, Kosova është në udhëkryq pa vizion, e qytetari më i varfër.

Reagimi i vonshëm, e një qeveri e arsyetimeve ka bërë që:

·        Energjia të rritet 100% në kurriz të qytetarit;

·        Derivatet dhe secili produkt ushqimor është rritur në nivele të pa krahasueshme;

·        Përderisa paga në sektorin publik e privat ka mbetur e njëjtë.

Inflacioni ka zbritur e devalvuar vlerën e pagës, e qytetari është vënë në pasiguri e panik;

Politikat e Qeverisë nga veprime kanë mbetur në fraza shfajësimesh e bartje përgjegjësish, ndërkaq vendimmarrja i ngjason logjikës, ‘mos vepro, pengo, sepse e gjejmë fajtorin’.

Institucionet e pavarura dhe ato qeveritare, kanë vendosur kriter ç ’kapje e profesionalizmi, mbishkrimin e rrjeteve sociale ‘Krejt dhe Drejt’.

Në rrafshin ndërkombëtar Kosova ka ulur kredencialet, me komunikim të gabuar, e mos besueshmëri ndaj partnerëve.

Raporti me ShBA është dëmtuar dukshëm, ndërsa pozicioni ynë me vendet e BE-së është në pikën më të ulët që ka qenë ndonjëherë.

Dialogun e trajtojmë në nivel të teknikëve, ndërsa raportin me Serbinë e trajtojmë prej teme në temë, sikurse rasti i mbajtjes së zgjedhjeve më 3 prill. Ndërkaq, arritja e marrëveshjes finale, që përmbyllet me njohje, duket i pa qartë.

Nëse pyet dikush cila është puna e vetme e mirë e kësaj qeveria, lehtësisht e dimë se është krijimi i Fondit të Sigurisë.