75 Mall Live Search
12:44 / E Diele, 27 Janar 2019 / indeksADMonline

Njerëz si Arian Daci mbahen mend gjatë

Nën patronatin e zyrës së kryeministrit të Republikës së Kosovës, është mbajtur mbledhja komemorative për nder të zëvendësministrit të Diasporës, Arian Daci, i cili humbi jetën gjatë ditës së djeshme nga një ortekë bore në Brezovicë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se çdo fjalim i sotëm mbizotërohet nga loti dhe pikëllimi.

“Qeveria e ka humbur një djalë të zellshëm, njerëz si Arian Daci mbahen mend gjatë.  E kisha taku disa herë Arianin, ai ishte plotë pasion dhe jetë. I dalluar për vlera të larta njerëzore. Ne kolegët e tij jemi përherë mirënjohës për të. I tillë ishte dhe të tillë do ta mbajmë mend”, tha Haradinaj.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, tha se lajmi për ndarjen e tij nga jeta, është tronditës.

“Ky është pa dyshim fjalimi më i rëndë në jetën time. Unë ende nuk po mund të besoj, ne që jemi shoqëruar me Arianin e ndajmë me familjen pikëllimin. Ai ka qenë dora e djathtë e ministrisë, por me të ke mund të qash edhe hallin për çështje private”, tha ai.

Ndërsa, Edmond Ademi, ministër i Diasporës në Maqedoni, tha se është vështirë të gjej fjalët e duhura në këso raste.

“Kjo mbledhje në të cilën e përshëndetemi për herë të fundit me Arianin… largimi i tij nga kjo jetë është humbja e madhe, por kujtimi për të është i përhershëm”, ka shtuar ai.

Arianit Jakupi, nga Oda e Farmacistëve, tha se është i tronditur nga lajmi, sepse për të Ariani ishte njeri që i ofronte të gjithë.

“Më shumë se aq jam shok i tij, nuk e kam pasur vetëm koleg, por kemi ndarë edhe momente me të që nga gjimnazi. E kisha mentor edhe të skijimë, nuk hezitonte të më ndalte të më tregonte se si të mbrohemi nga rreziqet, qoftë edhe nga orteku. Ti do të mbetesh përherë në mendjen tonë. Familja pastë forcë”, tha ai.

Edi Daci-Prapashtica, motra e Arian Dacit në emër të familjes ka shprehur mirënjohje për të gjithë të pranishmit.