15:20 / E Enjte, 22 Prill 2021 / AR

“Njerëzit nuk mashtrohen nga interneti”: Drejtori i Teatrit thotë se ka interesim të madh për shfaqjet në Teatrin Kombëtar

Është bërë më shumë se një vit që e gjithë bota po përballet me koronavirus.

E gjithë kjo situatë ka ndikuar tek të gjithë, duke u anuluar organizimet e shumta, shkruan Indeksonline.

Edhe Teatri Kombëtar i Kosovës ka pësuar humbje gjatë kësaj periudhe, duke pasur rënie të madhe të të hyrave.

Në një intervistë për Indeksonline, drejtori i Teatrit Naser Shatrolli tregoi se ky vit ishte përplot me sfida edhe për Teatrin. Edhe gjatë kësaj kohe ka pasur aktivitete në Teatër por që kanë funksionuar me vetëm 30% të kapaciteteve.

“Ky vit ka qenë përplot me sfida, në një situatë e cila e ka kapluar krejt botën, e në këtë rast edhe Kosovën. Teatri ka funksionu në ato përmasat të cilat i kanë lejuar Qeveria, përkatësisht institucionet zyrtare. Ne kemi punu, kemi funksionu me shfaqje, kemi nxjerr edhe pjesë të shfaqjeve të cilët kanë ndodhur që shpesh herë ndonjëri nga aktorët është infektuar me covid. Mirëpo megjithatë ne kemi funksionuar dhe jemi duke funksionu me 30% të kapacitetit”, tha ai.

Periudha e pandemisë ka ndikuar edhe në aspektin psikologjik, ku ende ekziston frika të qëndrojnë në një ambient të mbyllur. Edhe pse Teatri ka ulëse të mjaftueshme sa për të menaxhuar situatën, numri i audiencës është i caktuar përkundër interesimit të madh.

“Në aspektin e shitjes së biletave, në aspektin e vizitorëve sigurisht që kemi pasur ramje fakti që disa njerëz kanë pas frikën e pandemisë. Kjo ka ndikuar edhe në aspektin psikologjik. Është njëfarë frike, njëfarë skepticizmi, njëfarë frike për me u fut në ambiente të mbyllura. Teatri Kombëtar i ka 300 ulëse dhe ne e kemi mundësinë që ta menaxhojmë mirë situatën, mirëpo sigurisht që audienca është zvogëluar mirëpo interesimi është gjithmonë. Kjo është e mira që njerëzit e dëshirojnë, e duan dhe kërkojnë të jenë në shfaqjet e Teatrit dhe shpresojmë që në muajt e ardhshëm të lirohemi dhe do të ketë më shumë audiencë në sallë. Tash për tash kemi 90 njerëz në sallë që i bie 30%, numër që lejohet të jenë në sallën e teatrit” tha drejtori i Teatrit.

Aktoret nuk janë ndalur edhe gjatë kësaj periudhe, ku kanë bërë shfaqje të ndryshme. Këtë javë do të jepet shfaqja për Muharrem Qenën, dhe javën tjetër do të ketë edhe dy shfaqje të reja.

“Prej kur jam në Teatër e deri më tash kanë qenë 6 premiera dhe e 7-ta është dhënë si provë gjenerale si premierë e mbyllur dhe tani fatkeqësisht janë tre anëtar prej kësaj shfaqje që janë infektuar me Covid dhe e kemi shty premierën ndoshta ka fundi i javës së ardhshme të tre aktoret do ta kapërcejnë këtë meqenëse ne jemi në kontakt me ta, ata janë mirë me shëndet mirëpo është ajo koha kur ata duhet të qëndrojnë të mbyllur dhe besoj që ka fundi i javës do ta kemi premierën e radhës me rend që është, e cila i dedikohet Muharrem Qenës dhe në javën tjetër do të fillojmë të startojmë edhe me dy shfaqje të tjera të reja, njëra për skenën e vogël e tjetra për skenën e madhe”, shtoi ai.

Pandemia i ka mërzitur njerëzit, ku edhe pse kalojnë kohë neper internete e formate tjera, ata janë të interesuar edhe për Teatrin Kombëtar duke pasur dëshirë të shohin ndonjë shfaqje.

“Ka interesim të madh nga publiku për të marrë pjesë në teatër. Kjo tregon që njerëzit janë të mërzitur. Nuk i mashtron interneti, televizioni e formatet e tjera dhe kjo është gjë e mirë për Teatrin Kombëtar, për neve sidomos. Interesohen mjaftueshëm, kërkojnë që të jenë edhe në premiera mirëpo ne nuk guxojmë të dalim përtej mundësive tona që lejohen kështu që ne po përpiqemi të jemi korrekt me rrethanat që janë lejuar kështu qe prej kësaj radhe kemi fillu me repriza të shfaqjeve kështu që publiku mund të vie prej orës 18:00 me pa shfaqje, e kemi zhvendos orarin nga ora 20:00 në orën 18:00 pasi që është edhe muaji i ramazanit” përfundoi ai./Indeksonline/