Njëri sulmoi policin, tjetri gjuajti me armë në drejtim të një personi: Dërgohen në mbajtje të dyshuarit në Gjakovë

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar për 48 orë të dyshuarin P.B., për shkak të dyshimit të bazuar se sot, në një fshat të Gjakovës, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, ka tentuar të privojë nga jeta, duke shtënë në drejtim të viktimës Gj.B.
Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Po ashtu, lidhur me këtë rast nga Departamenti i Përgjithshëm, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, edhe personi tjetër i dyshuar me iniciale Z.B, në datën dhe në vendin e njëjtë, pasi zyrtarët policorë kanë shkuar në shtëpinë e të dyshuarit për bastisje, i dyshuari ka sulmuar njërin prej zyrtarëve policorë.
Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton se ndaj të dyshuarve P.B., dhe Z.B., brenda afatit ligjor, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.