07:20 / E Mërkurë, 05 Janar 2022 / OSH

Njihuni me vendin afrikan që ka një qendër skijimi

Për shumicën e njerëzve, koncepti i një pushimi në Afrikë mund të sjell në mendje imazhet e fushave të njomura nga dielli, pyjet tropikale dhe tufat e antilopave migruese.

Mirëpo pak njerëz mendojnë për skijimin.

Sidoqoftë, ashtu sikurse Evropa, kontinenti përmban një numër vargmalesh malore me borë të mjaftueshme sezonale për të pritur turistët në shpatet e mundshme të skijimit.

Një vendpushim i tillë gjendet në mbretërinë e Lesotos – një vend pa dalje në det i rrethuar nga vargmalet Drakensberg të Afrikës së Jugut, raporton EuroNews.

Pieper Peyper zotëron resortin gati dy dekadash “Afriski Mountain Resort” , që tërheq mbi 17 mijë vizitorë çdo vit.

“Kur dikush flet për skijimin dhe borën, njerëzit nuk e lidhin këtë koncept me Afrikën”, thotë Peyper.

“Njerëzit mendojnë për Alpet, shkëmbinjtë në Kanada dhe malet më të mëdha. Por kjo zonë e Lesotos ka një klimë unike pasi qëndrojmë në një lartësi prej 3,000 metrash dhe maja e malit është vetëm 3,222 metra”.

Frekuentimi i pistave për herë të parë

Ramokotjo Hope është një instruktor profesionist i skijimit dhe i sportit ‘snowboarding’ që punon në resortin Afriski.

“Unë si vendas, nuk kam pse të udhëtoj jashtë: i kam pushimet pikërisht këtu”, buzëqesh Hope, i cili dëshiron t’ua përcjellë aftësitë e tij skiatorëve të tjerë.

“Më pëlqen t’u jap njohuri të reja njerëzve dhe gjithashtu më pëlqen progresi – duke e parë atë të ndodhë në fakt më bën shumë të lumtur”.

Ai pati mundësinë që t’u jap mësim dy personave që po e provojnë për herë të parë skijimin dhe ata janë Kevin Kava dhe Mbeziwe Seoko.

Të dy ngjiten dhe zbresin me radhë në shpatin prej një kilometër, duke përsosur ngadalë teknikat e tyre të rrëshqitjes nën diellin e nxehtë afrikan.

“Ishte diçka shumë ndryshe”, thotë Kevin, i cili po viziton resortin nga shtëpia e tij në Cape Town.

“Gjunjët dhe këmbët po më dhëmbin, djersita papritur, por ishte shumë argëtuese”.

Mbeziwe Seoko, ndërkohë, gjithashtu po e provon për herë të parë skijimin.

“Nuk isha e hapur për këtë sepse kam frikë nga lartësitë, por ja ku jam dhe po e shijoj. Ndihem si një 10-vjeçare”, thotë ajo.

Ramokotjo Hope është një instruktor profesionist i skijimit dhe i sportit ‘snowboarding’ që punon në resortin Afriski.

Në një ditë të ngarkuar, shpati mund të presë deri në 320 vizitorë.

Resorti krenohet me gjashtë pista dhe funksionon midis muajve të dimrit të qershorit dhe gushtit.

Në verë, Afriski argëton mysafirët me një përzgjedhje të aktiviteteve sportive ekstreme, duke përfshirë çiklizëm malor, udhëtime me motorë me udhëzues dhe vrapim në shtigje.