75 Mall Live Search
09:22 / E Premte, 17 Janar 2020 / indeksADMonline

Njihuni me yjet e sportit nga Turqia, që janë në krahun e gabuar të presidentit Erdogan

“Hero kombëtar, armik publik, shofer i Uber”

Ky ishte titulli i një interviste me ish yllin ndërkombëtar të futbollit me origjinë turke Hakan Sukur, në gazetën gjermane Die Welt.

Sukur konsiderohet si një nga lojtarët më të mirë turq të të gjitha kohërave, dhe ende mban rekordin si golashënuesi më i mirë në arenën ndërkombëtare.

Por, tashmë ai tani jeton në ekzil në Shtetet e Bashkuara dhe punon si shofer i kompanisë Uber.

Ai është në kërkim nga Turqia dhe është marrë nën mbrojtjen e policisë. Sukur akuzohet se ka marrë pjesë në grushtin e shtetit të vitit 2016, dhe thotë se presidenti turk Recep Tayyip Erdogan “mori gjithçka nga unë – të drejtën time për të qenë i lirë, të drejtën për tu sqaruar, e të drejtën për të punuar”.

Ai ka shërbyer në partinë e Erdoganit për dy vite me radhë përpara se të largohej për shkak të një skandali ku akuzohej për korrupsion. 48-vjeçari tregon për gazetën gjermane se ai është “armik i qeverisë, e jo i shtetit apo i kombit turk”.

Sukur nuk është i vetmi yll i sportit që gjendet në krahun e gabuar të burrit të fortë të shtetit të vendit të tij, i cili akuzohet se ka organizuar grushtin për të rritur pushtetin dhe të zhdukë armiqtë e tij.

Deniz Nak: Futbollisti, makina e të cilit, u qëllua me armë në Gjermani

Në një situate të ngjashme ndodhen edhe futbollistët turq Deniz Naki, basketbollisti i NBA Enes Kaner dhe boksieri gjerman Unsal Arik.

Deniz Naki, një gjerman me origjinë kurde, ka luajtur për skuadrën “St. Paul” dhe “Paderborn” në Gjermani dhe ka përfaqësuar Gjermaninë për grup-moshat U-19 dhe U-20. Pas lëvizjes në një klub turk në 2017-n, atij iu dha masa e arrestit prej 18 muaj burg, nën akuzën e “përhapjes së propagandës terroriste” si dhe se mbështeste partinë së jashtëligjshme “Partia e Punës së Kurdistanit.”

Euronews e intervistoi atë në verë të 2018-s, pasi kritikoi kolegun e tij, futbollistin turko-gjerman Mesut Ozil, se e kishte braktisur skuadrën kombëtare gjermane për shkak të racizmit.

“A ka racizëm në Gjermani? Sigurisht që ka. Por nuk është vetëm një problem i Gjermanisë, por një problem global” tha Naki asokohe, duke shtuar se Ozil “duhet të reagojë për atë çka ndodh në Turqi”.

Në 2018-n, automjeti i Nakit u qëllua në distancë nga një autostradë në Gjermani në atë çka ai e cilësoi “si një sulm të motivuar politikisht”. Më pas, ai u përjashtua nga futbolli turk dhe i tha Euronews se nëse ai kthehej atje, mund të arrestohej.

Enes Kanter: Lojtari i NBA-së që është në kërkim në Turqi

Lojtari i NBA, Enes Kanter, u detyrua të largohej nga një kamp në Indonezi në 2017-n, ku po kryente një stërvitje së bashku me ekipin e tij, pasi ishte në kërkim nga policia. Teksa aktivisti kundër Erdoganit ishte në Rumani, ai mori vesh se pasaporta e tij ishte bërë e pavlefshme dhe shpalli veten si person “pa-shtet”. Falë avokatëve të NBA dhe presionit diplomatik nga SHBA, ai ia doli të kthehej në Shtetet e Bashkuara, por që prej asaj kohe ai jeton në frikë për sigurinë e tij.

Kanter vendosi të mos udhëtojë drejt Londrës për një ndeshje, pasi sipas disa informacioneve, Turqia i kishte bërë një kërkesë Interpolit që ta vendoste në listën e njerëzve në kërkim.

E gjitha kjo ndodhi pas në 2017-n, i ai shkruajti në Twitter se i kishin arrestuar të atin, duke iu referuar Erdoganit si “Hitleri i shekullit tonë”.

Kanter rrezikon 4 vjet burg pasi ka fyer Erdoganin në rrjetet sociale.

Unsul Arik: Boksieri që mbështet “Ataturkun, jo Tayyipin”

Pas grushtit të dështuar, Unsal Arik kritikoi hapur Erdoganin dhe reformën e tij kushtetuese. Një herë, ai u ngjit në ring me një bluzë ku shkruhej “Vendi i përket Ataturkut, jo Tayyipit” duke iu referuar themeluesit të Turqisë, që e ktheu vendin në një shtet laik.

Kampioni Botëror i 2016-s, Arik, nuk ecën kurrë i vetëm në rrugët e Berlinit për arsye sigurie, sipas gazetës gjermane “Der Tagesspiegel”. Ai vazhdimisht ofendohet dhe kërcënohet në internet nga mbështetësit e Erdoganit, të cilët e quajnë “tradhëtar”.

39-vjeçari nga Nurembergu nuk mund të shkojë më në Turqi, sepse rrezikon të përfundojë pas hekurave. Arik mund të dënohet me 15 vite burg, pasi nxori një këngë rrep që kritikonte Erdoganin. Familja e tij, thotë ai, është gjatë gjithë kohës nën presion nga autoritet në vend. Së fundmi, ai aplikoi për vizë për të shkuar me pushime në Shtetet e Bashkuara, por aplikimi i tij, ka thënë Arik, është duke u proceduar me ritme shumë të avashta.