12:52 / E Mërkurë, 21 Dhjetor 2022 / LB

Njohës të sigurisë e politikës: KFOR urgjentisht t’i largojë barrikadat

Situata në veri të vendit vazhdon të jetë e tensionuar, ndërkohë që rrugët që të qojnë në pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinjë, vazhdojnë të jenë të bllokuara. Njohës të sigurisë dhe politikës, konsiderojnë se KFOR-i duhet urgjentisht t’i largoj barrikadat.

Po bëhen dy javë prej që pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë të bllokuara me barrikada nga serbët lokalë. Kjo e ka vështirësuar jetën e qytetarëve në atë pjesë.

Njohës të sigurisë dhe politikës konsiderojnë se KFOR-i duhet urgjentisht t’i largoj barrikadat.

Mazllum Baraliu për Radio Kosovën ka theksuar se duke i parë tensionet në pjesën veriore, e duke mos përjashtuar edhe eskalimin e mëtejmë, KFOR-i duhet të intervenojë me urgjencë .

“Duhet KFOR-i të veprojë urgjentisht, i ndihmuar edhe nga Policia e Kosovës në mënyrë që të hiqen barrikadat sa më parë”, ka deklaruar Baraliu.

Kurse eksperti i sigurisë, Drizan Shala ka deklaruar se situata në veri është mjaftë e tensionuar, por duke pas parasysh që tashmë situata ka marr konotacion politik, institucionet e Kosovës të hartojnë një manual me KFOR-in dhe EULEX-in, që edhe kësaj herë t’i largojnë brigadat duke mos lejuar më një bllokim të tillë.

“Duke pas parasysh që kontesti i sigurisë ka marrë konotacion politik, duhet që Qeveria e Kosovës, të hartoj një manual më KFOR-in e EULEX-in, dhe çështja e largimit të barrikadave t’i jepet edhe kësaj radhe KFOR-it, dhe veprimet e tjera nëse do të këtë kundër rendit kushtetues,  duhet të ndërhyhet me forcat e Policisë së Kosovës, për të mos lejuar më barrikada”, ka thënë Shala.

Përveç bllokimit të rrugëve në pjesën veriore ka pasur edhe sulme ndaj Policisë së Kosovës dhe medieve.

Bllokuesit po kërkojnë që të lirohet ish-polici i arrestuar së fundmi për dyshimet se ka kryer krime lufte në Kosovë, ndërkaq, kusht për lirimin e rrugës serbet e kanë edhe formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.