75 Mall Live Search
15:26 / E Premte, 21 Korrik 2023 / mp

Njohësit e kushtetutës analizojnë mocionin e opozitës: Rast i veçantë dërgimi i seancës plenare në kushtetuese!

Partitë opozitare sërish iu kanë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës (GJKK), për të kontestuar veprimet e pushtetit.

Kësaj here, partitë opozitare iu kanë drejtuar GJKK-së me kërkesë për anulimin e vendimeve të seancës së 13 korrikut, ku pati edhe përleshje fizike në mes pushtetit dhe opozitës. Pozita gjatë asaj seancë  i ka votuar shumë projektligje dhe ka zgjedhur edhe drejtues të lartë në institucione.

Tri partitë opozitare, PDK-ja, LDK-ja, dhe AAK-ja kanë dorëzuar lëndë në Gjykatën Kushtetuese që kanë të bëjnë me seancën e kaluar të Kuvendit të Kosovës. Zyrtarët e këtyre partive pretendojnë se në atë seancë nuk është respektuar Kushtetuta e Kosovës, prandaj kanë kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së atyre vendimeve.

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që kushtetuesja të anulon komplet seancën e javës së kaluar. Po ashtu sot gjatë ditës Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka dorëzuar në Gjykatën Kushtuese kërkesën lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale

Diçka e re dhe e çuditshme duket dërgimi i seancës plenare të Kuvendit në GJKK, nga njohës të çështjeve kushtetuese.

Mazllum Baraliu njohës i çështjeve kushtetuese thotë se dërgimi i seancës në kushtetuese është diçka e re që nuk ka dëgjuar të ketë ndodhur më herët.

“Dërgimi i pakos së seancës është diçka që me sa unë mbaj mend në këtë praktikën tonë kushtetuese, prej kur është miratuar  Kushtetuta dhe ka hy në fuqi, është hera e parë që dëgjohet diçka e tillë . Nuk di çka ka brenda saj, por që ata e kanë dërguar jo vetëm atë dhe për mua është e re”, tha Baraliu.

Ai ka shtuar se nuk mund të paragjykoj vendimin që do të marrë kushtetuesja dhe se sipas tij nuk e di nëse është në kompetenca a jo të kushtetueses.

“Pa dashur të paragjykoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, është në një mënyrë por është çështje diskutimi a bien në kompetencën e Gjykatës një gjë e tillë apo jo. E dyta a është ajo çështje kushtetuese puna , procedura ecuria e një seance apo është çështje kushtetuese apo është administrative.  Diçka që do ta ketë vështirë Gjykata Kushtetuese ta jap përcaktimin e saj, ose këta do ta kenë të vështirë përkufizimin e saktë të asaj se çka po dëshirojnë dhe çka po kërkojnë, sepse është bërë njëfarë adeti që për çdo gjë ti drejtohemi Gjykatës Kushtetuese “, tha për “IndeksOnline” Baraliu.

Ai thotë se duhet të pritet ce çfarë vendimi do të nxjerrë GJKK-ja.

“Nuk dua të paragjykoj por do të ketë punë Gjykata Kushtetuese , sepse është diskutabile të futesh në një thes edhe gjërat të cilat nuk janë drejtpërdrejti kushtetuese dhe që nuk kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë. E dyta duhet të menduar mirë për pasoja se nuk ka të drejt monopoli asnjë subjekt politik që disa ligje ti fusë që në atë seancë gjithsesi kanë qenë urgjente. Është mirë që janë trajtuar dhe miratuar e tash ti fusësh në një thes aty në vend që të shkosh drejtpërdrejti me ligjin për pagën ajo është çështje përsëri diskutabile”, tha Baraliu./IndeksOnline/