75 Mall Live Search
23:32 / E Enjte, 11 Shtator 2025 / Burim

Njohja e Palestinës, Europa e përçarë/ Parlamenti europian miraton rezolutën: Ndëshkim për Izraelin

Parlamenti Europian votoi rezolutën e parë të përbashkët për Gazën që nga fillimi i luftës në vitin 2023.

Rezoluta dënon ofensivën e Izraelit dhe kufizimin e ndihmës humanitare në enklavë dhe kaloi me 305 vota pro, 151 kundër dhe 12 abstenime, ndërsa 140 nuk morën pjesë në votim.

Rezoluta mbështet njohjen e një shteti palestinez, pasi vetëm një zgjidhje me dy shtete mund të sigurojë paqe të qëndrueshme në rajon. Ajo bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe shpërndarjen e ndihmës. Më tej dënohet qartë Izraelin si përgjegjës për pengimin e ndihmës dhe përkeqësimin e situatës humanitare dhe gjithashtu kërkohet lirimi i të gjithë pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi.

Parlamenti i kërkon Bashkimit Evropian të ndërmarrë veprime përmes sanksioneve, jo vetëm fjalëve. Rezoluta i bën thirrje Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare të pezullojnë shtyllën tregtare të marrëveshjes së asociimit BE-Izrael dhe të bllokojnë të gjitha transfertat e armëve në Izrael.

Socialistët, liberalët dhe të Gjelbrit kishin rënë dakord për tekstin që të martën, por Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë, votat e së cilës ishin thelbësore për të arritur shumicën, kishte refuzuar ta miratonte.

Të enjten, pak para votimit, ata mbështetën tekstin me disa ndryshime thelbësore, duke shmangur që Parlamenti ta shpallte situatën në Gaza si një gjenocid dhe hoqën çdo përmendje të situatës në Gaza si një “uri e shkaktuar nga njeriu”. Deputetë që janë pjesë e Partisë Popullore, konservatorëve,  grupimit “Patriotët për Europën” dhe madje edhe disa te majtë, votuan kundër.

Rezoluta, e cila nuk është ligjërisht e detyrueshme, por përfaqëson qëndrimin politik të Parlamentit Evropian, gjithashtu kërkon veprim nga BE dhe u kërkon shteteve anëtare të marrin në konsideratë njohjen e Shtetit të Palestinës

Eurodeputetët votuan për rezolutën pasi presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen njoftoi se planifikon të kërkojë sanksione dhe një pezullim të pjesshëm tregtar kundër Izraelit për shkak të luftës në Gaza.

Megjithatë unioni 27-anëtaresh është thellësisht i ndarë në qasjen e tij ndaj Izraelit dhe Palestinës, dhe është e paqartë nëse do të arrihet një shumicë për të mbështetur sanksionet dhe masat tregtare.