10:51 / E Mërkurë, 22 Maj 2024 / L K

Njohja e Palestinës, Izraeli tërheq ambasadorët nga Norvegjia dhe Irlanda, paralajmëron pasoja

Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, ka njoftuar se shteti i tij ka tërhequr ambasadorët e vendit në Irlandë dhe Norvegji. Ky vendim merret pasi dy shtetet përkatëse kanë njoftuar sot njohjen e Palestinës si shtet.

“Po i dërgoj një mesazh të qartë Irlandës dhe Norvegjisë se Izraeli nuk do të qëndrojë i heshtur përballë atyre që minojnë sovranitetin dhe rrezikojnë sigurinë. Vendimi i sotëm u dërgon një mesazh palestinezëve dhe botës se terrorizmi shpaguhet. Ky hap është një padrejtësi ndaj kujtimit të viktimave të 7 tetorit, kur Hamasi islamik kreu një masakër në Izrael me sulmin e tij terrorist që vrau më shumë se 1200 izraelitë. Izraeli nuk do të heshtë, do të ketë pasoja të mëtejshme serioze” ka thënë ministri izraelit./Indeksonline/