“No Kings”/ Në New York protestohet kundër Donald Trumpit – Indeksonline.net
75 Mall Live Search
Zgjidh gjuhën

“No Kings”/ Në New York protestohet kundër Donald Trumpit

Në Shtetet e Bashkuara kanë nisur protestat masive kundër presidentit Donald Trump, në një valë demonstratash që pritet të përfshijë mbi 2 mijë e 500 qytete dhe komunitete në mbarë vendin.

Protesta e parë, e quajtur “No Kings” (Pa Mbretër), filloi sot në New York City dhe është vetëm fillimi i një dite që pritet të shënojë një mobilizim të gjerë kundër, siç e cilësojnë organizatorët, “autoritarizmit në rritje të Trump”.

Sipas raportimit të BBC-së, organizatorët kanë paralajmëruar se miliona njerëz mund të marrin pjesë në protestat që po mbahen në qytetet kryesore amerikane, përfshirë Washington D.C., ku senatori Bernie Sanders pritet të jetë një nga folësit kryesorë, si dhe Los Angelesin.

Në faqen zyrtare të organizatorëve, protesta përshkruhet si një kundërvënie ndaj “kaosit, korrupsionit dhe mizorisë” që, sipas tyre, karakterizojnë administratën Trump.

“Presidenti mendon se sundimi i tij është absolut. Por në Amerikë, nuk kemi mbretër dhe nuk do të tërhiqemi”, thuhet në deklaratën e tyre zyrtare.

Tensione politike dhe reagime të ashpra

Protestat kanë ngjallur reagime të menjëhershme nga kampi republikan. Aleatët e Trump-it i kanë akuzuar organizatorët për lidhje me lëvizjen e majtë radikale Antifa, edhe pse pa prova konkrete.

Disa shtete të udhëhequra nga republikanët kanë marrë masa sigurie të shtuara. Guvernatorët e Teksasit dhe Virxhinias kanë aktivizuar Trupat Kombëtare (National Guard) për të qenë në gatishmëri, edhe pse mbetet e paqartë nëse prania e tyre do të jetë e dukshme në rrugë.

“Do të duhet të nxjerrim Gardën Kombëtare”, deklaroi senatori republikan Roger Marshall për CNN. “Shpresoj të jenë paqësore, por dyshoj se do të jetë kështu”.

Në Teksas, guvernatori Greg Abbott e justifikoi vendimin duke e lidhur protestën e planifikuar në Austin me “demonstrata të mundshme të lidhura me Antifa-n”.

Kjo deklaratë u kundërshtua nga figura të Partisë Demokrate, përfshirë ligjvënësin Gene Wu, i cili tha se “Dërgimi i ushtarëve të armatosur për të frenuar protesta paqësore është ajo që bëjnë mbretërit dhe diktatorët, dhe Greg Abbott sapo e dëshmoi se është njëri prej tyre”.

Në Virxhinia, guvernatori Glenn Youngkin ndërmori të njëjtën masë parandaluese.

Mbështetje ndërkombëtare dhe solidaritet global

Protesta të ngjashme solidariteti janë raportuar edhe në Berlin, Madrid dhe Romë, ku qytetarët kanë dalë në rrugë për të mbështetur demonstruesit amerikanë dhe për të shprehur shqetësimin ndaj prirjeve autoritare në politikën amerikane.

Trump: Nuk jam mbret

Në një intervistë të parapublikuar për Fox News, që pritet të transmetohet të dielën, Trump reagoi ndaj sloganit të protestave.

“Një mbret? Kjo nuk është e vërtetë. Nuk jam mbret”, tha ai në klipin promovues të intervistës, duke shtuar se protestat janë “të organizuara nga njerëz që urrejnë Amerikën”.

Ndërkohë, figura të njohura të artit dhe aktivizmit si Jane Fonda, Kerry Washington, John Legend, Alan Cumming dhe John Leguizamo kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në tubimet “No Kings”, duke i dhënë protestave një profil të lartë publik dhe simbolik.

Në një atmosferë tensioni të ndjerë, SHBA po përgatiten për një ditë protestash që, sipas shumë vëzhguesve, mund të bëhet momenti më i madh i mobilizimit civil që nga protestat pas zgjedhjeve të vitit 2020.

Të fundit nga IndeksOnline