23:51 / E Enjte, 29 Mars 2018 / indeksADMonline

Nobelistja e Paqes kthehet në Pakistan

Malala Yousafzai, luareatja e çmimit Nobel për Paqe në vitin 2014, u kthye sot në Pakistan, në vendlindjen e saj nga ku u largua në rrethana dramatike dhe nga ku nuk do të kishte dashur kurrë të largohej.

“Jam shumë e lumtur. Nuk arrij ta besoj që jam këtu”, deklaroi ajo, në një fjalim emocionues në residencën e kryeministrit, Shahid Khaqan Abbasi në Islamabad, disa orë pas mbërritjes.

“Këto pesë vitet e fundit, gjithmonë kam ëndërruar të kthehem në vendin tim”, theksoi ajo para publikut.

“Nëse do të kishte qenë e mundur, nuk do të isha larguar kurrë”, shtoi ajo duke përmendur me nostalgji bukurinë e luginës e vendlindjes së saj të Swatit, ndonjëherë krahasuar me Zvicrën për peisazhet e saj, përcjell Atsh.

Ajo u dërgua me urgjencë drejt Britanisë së Madhe në tetor të vitit 2012 pasi u plagos rëndë me një plumb në kokë pas një atentati ndaj autobusit me të cilin po kthehej nga shkolla, së bashku me disa vajza të tjera.

“Ne jemi shumë të lumtur, që vajza jonë, që ka bërë shumë për emrin e Pakistanit, u rikthye në shtëpi”, deklaroi kryeministri.