14:48 / E Mërkurë, 02 Qershor 2021 / OSH

Nobelistja e Paqes pozon për Vogue: Unë e di fuqinë që një vajzë e re mbart në zemrën e saj

Malala Yousafzai, aktivistja pakistaneze e të drejtave të njeriut, e cila u qëllua nga talebanët pasi bëri fushatë për arsimimin e vajzave, është përzgjedhur në kopertinën e “Vogue”. Në intervistën e dhënë për revistën britanike, Yousafzai, e cila në moshën 17 vjeçare fitoi çmimin “Nobel” për Paqen, foli gjithashtu për miqësitë e saj me aktiviste të tjera të reja, si Greta Thunberg dhe Emma Gonzalez.

“Unë e di fuqinë që një vajzë e re mbart në zemrën e saj”, citohet të ketë thënë 23-vjeçarja, e sapodiplomuar si producente televizive në Universitetin e Oxfordit.

Profili, i cili do të shfaqet në numrin e korrikut të “Vogue”, përfshin vlerësime nga disa prej admiruesve të profilit të lartë të Yousafzai, si ish Zonja e Parë Michelle Obama apo CEO i Apple, Tim Cook.

Fotoja e kopertinës e shkrepur nga fotografi Nick Knight tregon aktivisten e veshur me një veshje të kuqe të ndezur dhe shami koke. Yousafzai e përshkroi shaminë e saj si një “simbol kulturor për pashtunët”, duke iu referuar grupit etnik kryesisht myslimanë sunit, nga i cili ajo vjen.

“Unë dua t’i them të gjithëve që ju mund të keni zërin tuaj brenda kulturës suaj, dhe ju mund të keni barazi në kulturën tuaj. Shpresoj që çdo vajzë që e sheh këtë kopertinë të dijë se mund të ndryshojë botën”, theksoi ajo.

Duke luftuar për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e vajzave për arsimim, aktivistja pakistaneze u bë objekt i vëmendjes globale kur, në moshën 15 vjeç, u qëllua në kokë nga Talibanët. Ajo mbijetoi pasi u dërgua me avion në Spitalin Mbretëresha Elizabeth në Birmingham, MB dhe pas asaj kohe krijoi organizatën e saj jofitimprurëse, “Malala Fund”.