Norvegji: Ish-roja i ambasadës amerikane dënohet për spiunazh për Rusinë dhe Iranin

Një shtetas norvegjez, 28-vjeçar, që punonte si roje sigurie në ambasadën amerikane në Oslo, është dënuar me tre vjet e shtatë muaj burg nën akuzën për spiunazh në favor të Rusisë dhe Iranit.
Sipas hetimeve, ai kishte përcjellë informacione rreth aktiviteteve të ambasadës amerikane gjatë periudhës mars – nëntor 2024, në këmbim të 10,000 eurove nga rusët dhe 0.17 bitcoin nga iranianët.
Gjykata e Oslos theksoi se të dhënat e dhëna ishin të një natyrë që mund të shfrytëzoheshin për veprime të drejtpërdrejta apo sulme fizike ndaj personave të përfshirë në ambasadë.
Gjatë seancës gjyqësore, i pandehuri pranoi faktet, por mohoi se kishte kryer spiunazh të klasifikuar. Ai tha se veproi për të protestuar ndaj politikës së SHBA-së në lidhje me luftën në Gaza, duke këmbëngulur se informacionet e transmetuara nuk ishin të klasifikuara./Indeksonline/