Nuhiu i lumtur me fitoren në derbi: Futbollistët lanë shpirtin në fushë

Skuadra e Dritës ka fituar derbin më të madh në Kosovë, duke e mposhtur Gjilanin me rezultatë të thellë 4:1.
Pas ndeshjes, trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, është shprehur i lumtur për këtë fitore, duke i përgëzuar edhe futbollistët për këtë sukses, pasi sipas tij ata lanë shpirtin në fushë vetëm për ta fituar këtë takim, shkruan IndeksOnline.
Ai tha se kjo fitore i dedikohet mjekut nga Gjilani, Visar Huruglicës, i cili vdiq ditën e djeshme.
“Fitorja në derbi është ndjenjë speciale për tifozët. Fitoren në derbi ia dedikoj Visarit dhe familjarëve të tij. Përshëndes tifozët tanë që nuk kishin mundësinë të ishin në stadium. Përgëzoj futbollistët të cilët kishin gjithçka nën kontroll. Kishin topin në posedim. Kundërshtari kishte përgatitur ndeshjen të na kapte në kundërsulm, por ne ishim të përgatitur. Drita ishte më e fortë te grupi. Futbollistët lanë shpirtin në fushë për të fituar. Gjithçka lanë në fushë për ta kontrolluar ndeshjen. Por, është vetëm fillimi dhe duhet të jemi me këmbë në tokë. Duhet të përqendrohemi për ndeshjet tjera. Na pret një ndeshje e vështirë ndaj Malishevës. Duhet të rikuperohemi sa më shpejtë dhe të vazhdojmë tutje”, ka thënë Nuhiu pas ndeshjes për Art Sport.
Pas kësaj fitore, Drita ka rrëmbyer edhe vendin e parë në AlbiMall Superligën e Kosovës duke grumbulluar 14 pikë nga gjashtë ndeshje të zhvilluara.
Në anën tjetër, Gjilani ka mbetur në kuotën e 14 pikëve dhe tani radhitet në pozitën e dytë të tabel./IndeksOnline/