75 Mall Live Search
16:15 / E Hënë, 18 Gusht 2025 / Burim

“Nuk do hiqen sanksionet ndaj Moskës”, Rubio: Rusët paguan me para në dorë karburantin në Alaskë

Edhe pse Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pati një takim miqësor me homologun e tij rus, Vladimir Putin, sanksionet kundër Rusisë mbeten në fuqi. SHBA-të gjithashtu po marrin pjesë në masat ndëshkuese. Ky fakt është bërë i ditur gjatë një interviste të Sekretarit Amerikan të Jashtëm, Marco Rubio.

Në një intervistë për NBC, Rubio tha se Rusët po përballen me sanksione të ashpra dhe se asnjë e tillë nuk është hequr deri më tani.  Dhe meqenëse këto ndikojnë edhe në transaksionet e pagesave, delegacioni rus u detyrua të përdorte masa të pazakonta gjatë udhëtimit të tij në Alaska, sipas Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio.

“Para së gjithash, rusët tashmë po përballen me pasoja shumë të rënda. Nuk ka asnjë sanksion të vetëm që është hequr. Asnjë. Dua të them, ata po përballen me të njëjtat sanksione që kanë qenë në fuqi. E gjithë mbështetja amerikane vazhdon për Ukrainën. Dhe në fund të fundit, nëse nuk do të jemi në gjendje të arrijmë një marrëveshje në asnjë moment, atëherë do të ketë pasoja – jo vetëm pasojat e vazhdimit të luftës, por edhe pasojat e vazhdimit të të gjitha atyre sanksioneve, dhe potencialisht edhe sanksione të reja përveç kësaj”, tha Marco Rubio, Sekretari Amerikan i Shtetit, shkruan A2 CNN.

Rubio shtoi se sanksionet e reja nëse do të vendosjen nuk do ta detyrojnë Putin të ndalë luftën.

“Nuk mendoj se sanksionet e reja ndaj Rusisë do ta detyrojnë atë të pranojë një armëpushim. Ata tashmë janë nën sanksione shumë të ashpra. Mendoj se nuk ka prova se më shumë sanksione bëjnë punë, sepse sanksionet duan muaj, dhe ndonjëherë vite, për të dhënë efekt”.

Zyrtari i lartë amerikan tha më tej se sanksionet kanë ndikuar edhe në mënyrën e pagesës që po përdor Moska për udhëtimin e delegacioneve, shkruan A2 CNN.

“Kur rusët zbarkuan në Alaska, ata u furnizuan me karburant. Ata duhej të ofronin të paguanin me para në dorë për të furnizuar aeroplanët e tyre sepse nuk mund ta përdorin sistemin tonë bankar. Ata përballen me pasoja çdo ditë. Por në fund të fundit, kjo nuk e ka ndryshuar drejtimin e kësaj lufte”, tha Rubio.

Putin mbërriti në Alaska në fund të javës me disa aeroplanë nga Rusia për t’u takuar me Trump në një bazë ushtarake atje.