20:25 / E Hënë, 17 Shkurt 2020 / indeksADMonline

“Nuk do të lejojmë që Kosova të dështojë, sepse për të kemi dhënë shumë”

Kosova po feston 12 vjetorin e Pavarësisë, ndërsa figurat politike në vend kanë uruar për këtë ditë.

Edhe deputeti nga radhët e Vetvendosjes, Mefail Bajqinovci përmes një statusi në Facebook tha se kjo ditë është rast për të reflektuar mënyrën se si po e realizojmë ëndrrën e porosinë e të rënëve, kontributorëve e udhëheqësve të lëvizjeve politike e aktive për liri.

Tutje Bajqinovci u shpreh se jemi gjenerata e nxjerrjes së mësimeve nga përvojat e mira të kombit por sidomos nga përvojat negative e nga dështimet dhe të kemi parasysh se në politikë nuk duhet futur për vete, por për shërbim ndaj vendit.

Më poshtë statusi i tij i plotë:

Përvjetori i shtetësisë tonë, është rasti për të rikujtuar çmimin e lartë që e ka paguar ky popull për liri e pavarësi.

Përvjetori i këtij momenti historik, është rasti për të reflektuar mënyrën se si po e realizojmë ëndrrën e porosinë e të rënëve, kontributorëve e udhëheqësve të lëvizjeve politike e aktive për liri.

Është momenti i rigjetjes së frymëzimit të thellë e të sinqertë për të mos gabuar në rrugën e shtetndërtimit e idealeve madhore të popullit, sidomos nga ne, përfaqësuesit e politikëbërësit.

Jemi gjenerata e nxjerrjes së mësimeve nga përvojat e mira të kombit por sidomos nga përvojat negative e nga dështimet. Mësimi kryesor është të mos i kthejmë vlerat sublime në shërbim të karrierave individuale. Të mbajmë parasysh se në politikë nuk duhet futur për vete, por për shërbim ndaj vendit.

Ne nuk mund të lejojmë që Kosova të dështojë sepse, për të, kemi dhënë shumë.

Kosova do të ketë gjithmonë njerëz që do të jenë gjendje të bëjnë sakrifica për të.

Prandaj, Kosova do të jetojë gjatë.