Nuk e votuan Rezolutën në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, LDK tregon arsyen
Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, ka treguar arsyet e përmbajtjes nga votimi për rezolutën në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Ajo pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme, tha se mos përfshirja e amendamentit të tyre për zbardhjen e vrasjeve politike në rezolutë ka bërë që të mos marrin pjesë në votim.
“Kemi ardhur në seancë duke mos qenë të përfshirë në grupin konsultativ për këtë rezolutë… Meqë kryetarja nuk e vuri në votim këtë amendament, ne jemi rezervuar nga votimi. E ndjeva përgjegjësi për ta bërë këtë sqarim publik”, tha ajo.
Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, i cili propozoi rezolutën, tha se miratimi i saj është një hap politik i rëndësishëm për ta kthyer në binarë procesin në Hagë.
“Është një moment politik për të cilin jemi të lumtur që kemi pasur një konsensus kaq të madh. Është një hap i rëndësishëm për ta kthyer procesin në binarë”, tha ai.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Derisa LDK nuk mori pjesë, rezoluta kaloi me 90 vota për, një kundër nga deputeti i LVV-së, Fatos Geci dhe asnjë abstenim.

