“Nuk fitohet titulli në dhjetor”, Pioli paralajmëron skuadrën e Interit

Interi aktualisht mban primatin në Serie A me 43 pikë, katër më shumë se Milani që është në vendin e dytë dhe ka një lojë më pak.
Dy skuadrat nga qyteti i Milanos së bashku me Napolin dhe Atalantën do të luftojnë deri në fund për titullin kampion, pasi që forma e skuadrave tjera nuk premton shumë.
Para ndeshjes me Napolin, trajneri i Rossonerëve e ka paralajmëruar rivalin lokal se kampionati nuk fitohet në dhjetor.
“Nuk besoj se mund të flitet për shkëputje. Interi po tregon cilësitë e kampionatit të kaluar, por kampionati nuk fitohet në dhjetor. Vitin e kaluar ishim ne në krye dhe të gjithë e dimë si përfundoi. Ne duhet të bëjmë më mirë se kampionatin e kaluar dhe të mbledhim më shumë se 79 pikë”, tha fillimisht Pioli.
Milani do të përballet me Napolin në derbin e javës të dielën dhe Pioli ka folur për këtë takim.
“Kemi bërë një fazë shumë të mirë. Do të më pëlqente që të merrnim më shumë se 43-pikëshi i sezonit të kaluar, por tani duhet të ringrihemi dhe të pedalojmë fort”.
“Napoli ka bërë mirë si ne, duhet që të ngremë nivelin e paraqitjeve tona. Ritmi i mbajtur në ndeshjet e mëparshme ka qenë i ekzagjeruar, kundër Udineses nuk luajtëm mirë dhe skuadra e di. Kundër Napolit duhet të riprovojmë që të luajmë siç dimë, sepse niveli i sfidës është shumë i lartë”, u shpreh tekniku italian.
Milani tani do të luftojë vetëm në Ligë dhe Kupë pasi u eliminua nga garat evropiane, derisa Interi do të ketë punë me Liverpoolin në Ligën e Kampionëve ndërsa Napoli me Barcelonën në Europa League. /IndeksOnline/