“Nuk i meritoj 20 vite burg”, Elsa Lila rrëfen përballjen me policët gjatë arrestimit
Në një bisedë shumë të ndjerë dhe emocionale në Grida Duma Podcast, këngëtarja Elsa Lila ka treguar për herë të parë si e përjetoi momentin kur u akuzua padrejtësisht në Itali.
“Ke një akuzë 20 vite e lart dhe gjëja e parë që mendova ishte: çfarë mund të kem bërë unë për ta merituar këtë? Ndoshta ndonjë gjobë e makinës, por s’vlen 20 vite,” tregoi këngëtarja për përjetimet e saj me karabinierët.
Elsa Lila tregon se si shtangu përballë prangave dhe dilemat që kaloi gjatë arrestimit: “Të gjithë kemi anë të errëta dhe të ndriçuara. Të gjithë kemi lënduar dikë, ndoshta pa dashje. Edhe unë nuk kam qenë gjithmonë e përsosur, por kurrsesi për të merituar burg”, tregoi këngëtarja.
Përjetimet për muajt në përballje me drejtësinë italiane, këngëtarja Elsa Lila i ka përshkruar edhe në librin e saj “Mirë se erdhe në Rebibbia”.

