16:14 / E Enjte, 26 Mars 2020

Nuk ishin takuar prej ditësh prej karantinës, të rinjtë kapen mat në makinë

Një çift në Itali është kapur nga policia në komunën Asti pasi po qëndronin brenda makinës së parkuar në një park.

‘Ne jemi të fejuar dhe nuk e kemi parë njëri-tjetrin prej disa ditësh’, u justifikuan ata para policëve. Djali 30 vjeçar dhe vajza 21 vjeçare rrëfyen se u takuan pasi i kishin munguar përqafimet dhe kishin shumë dëshirë që të ishin bashkë.

Pavarësisht përpjekjes për të parkuar makinën në një zonë të fshehtë, rrugët e boshatisura bënë që të zbuloheshin shpejt, raporton LaRepubblica.

Të dy thanë se qëndruan larg për një kohë të gjatë për shkak të situatës së koronavirusit që po ecën me ritme të shpejta në të gjithë botën, sidomos në Itali.

Qeveria ka marrë vendimin që askush të mos dalë nga shtëpia nëse nuk ka emergjencë pasi mund të rrezikojnë të preken nga sëmundja.

Ata iu shmangën gjobës 400-3000 euro pasi dekreti hyri në fuqi pasi u kapën nga policia.