75 Mall Live Search
18:36 / E Shtunë, 28 Qershor 2025 / Gj. Sh

Nuk ka qetësi për Vuçiqin, sërish protesta në Beograd

Në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, kanë nisur të organizohen dy protesta në ditën kur shënohet ajo që njihet si festë kombëtare e Vidovdanit.

Njëra organizohet nga studentët që i kanë bllokuar universitetet në nivel shtetëror prej fundit të vitit 2024 dhe kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Ata i bëjnë përgjegjëse institucionet për shembjen e një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntorin e vitit të kaluar, që ka rezultuar me vdekjen e 16 personave.

Protesta tjetër është duke u organizuar nga ata që deklarojnë se e mbështesin presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Protesta e studentëve, e titulluar “Shihemi në Ditën e Shën Vidit”, planifikohet të nisë në pasditen e së shtunës në Sheshin e Sllavija.

Në këtë festë, serbët përkujtojnë betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë në vitin 1389.

Mbështetësit e Qeverisë janë duke u mbledhur para ndërtesës së parlamentit, ku planifikojnë të organizojnë “mbrëmje letrare”.

Studentët po kërkojnë nga Qeveria që t’i dërgojë presidentit Vuçiq një propozim për shpërndarje të parlamentit dhe shpallje të zgjedhjeve të reja.

Kërkesa e dytë është ndërprerja e tubimit të mbështetësve të Qeverisë, të cilët deklarojnë se duan të mësojnë. Ata u kanë thënë ultimatum autoriteteve deri në orën 21:00 të së shtunës që t’ua plotësojnë kërkesat.

Mirëpo, Vuçiq ka thënë më 27 qershor se “ultimatumi nuk është pranuar”.

Disa ditë më parë, autoritetet i kanë arrestuar gjashtë persona për përgatitje të “përmbysjes së dhunshme të rendit kushtetutës”. Autoritetet i akuzojnë organizatorët e protestës se janë “duke u përgatitur për dhunë”.

Studentët, në anën tjetër, kanë deklaruar se me veprimet e tyre deri tani kanë treguar se janë kundër çdo forme të dhunës./REL