20:04 / E Premte, 15 Shtator 2023 / MSH

“Nuk kam mendu dy herë: sulmova me Zollë” – “Vetura ka qenë 120 km/h”: Ish-pjesëtari i ShIK-ut rrëfen në detaje atentatin ndaj Anton Berishës

Agim Hoti, autor i atentateve ish-drejtorit të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit, Anton Berisha në një rrëfim ekskluziv për “Paradoks” të Paparaci.com me Vehbi Kajtazin ka rrëfyer momentin e atentatit ndaj Berishës që u bë me raketa-hedhës. 

Ai në këtë rrëfim është shprehur se armatimin e kanë pasur nga lufta, dhe se nuk ka menduar dy herë për atentatin pasi kishte vendosur ta bënte, shkruan Paparaci.com.

“Armatimin e kemi pasur prej luftës, e kam pasë, armatim kemi pasur boll në atë kohë. Nuk kemi vujtë për një gjë të tillë, por thjesht, po të them sinqerisht, nuk kam menduar dy herë.”, ka thënë ai.

Hoti ka rrëfyer se në momentin e atentatit janë shkrepur dy raketa-hedhës dhe dy bomba dore.

“Janë shkrepur dy raketa-hedhës  të llojit zolla dhe dy bomba dore. Në fakt, edhe zolla tjetër ka shpërthyer se ka rënë në mes të vijës së asfaltit dhe ka depërtuar në atë anë.”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se objektivi ka qenë vetura dhe edhe lëvizjet e “objektivit” ishin të ditura. Hoti ndër të tjera ka rrëfyer edhe momentin e shkrepjes së raketa-hedhësve.

“Pozicioni ku kam qenë domethënë, është parë duke ardhur vetura, sepse ka ardhur me sinjalizues, me mbrojtje të afër, e kam shti në shënjestër. Vetura ka qenë në bazë të shpejtësisë, diku 120 kilometra në orë.”, ka thënë Hoti.

Ndër të tjera, ai ka rrëfyer edhe momentin e arrestimit dhe sipas tij, organizimin e dobët të këtij atentati.

“Nga vetura e dytë kanë thënë me automatik në drejtim tonin. Dhe këtu është dallimi se po të kishte qenë organizim i llojit kriminal, po mendoj thelbi i organizimit, po të kishte qenë i mirëfilltë, ne nuk do të kishim ecë kështu në këmbë. E kam fjalën pas aksionit, sepse ti e din kur planifikohet një sulm, zakonisht iket nga vendi i ngjarjes me vetura, ne kemi ikur këmbë.”, tha Hoti.

Hoti ka rrëfyer se pas atentatit nuk kanë qenë në dijeni se çfarë ka ndodhur me veturat, ndërsa ka thënë se arrestimi i tij dhe personave të përfshirë në rast është bërë 1 orë pas ngjarjes.

Në arrestim sipas tij, kanë marrë pjesë shumë forca policore, përfshirë KFOR-in gjerman, njësitet K9 të policisë e helikopteri.