Nuk kanë mbikëqyrje, partitë vazhdojnë punësimin e militantëve
Në vetëm dy javë, ani pse në prag të falimentimit, Telekomi i Kosovës ka punësuar rreth 100 punëtorë.
Por, ky nuk është rasti i vetëm kohëve të fundit, kur në institucionet shtetërore janë rehatuar familjarë e militantë të partive politike.
Një rast tjetër është ai i Sadbere Balajt, motrës së bashkëshortes së zëvendëskryeministrit Fatmir Limajt.
Kjo e fundit, u rehatua në Ministrinë e Diasporës, ku ushtruese e detyrës së Sekretares të kësaj ministrie është Shyrhete Gosalci, ish kandidate për deputete të NISMA-së në vitin 2014.
Këto punësime pa kontroll dhe pa kritere, partive politike po ua mundëson mosfunksionimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbyesve Civil të Kosovës.
Nga gjithsej 7 anëtarë që duhet t’i ketë ky këshill, 5 prej tyre iu ka skaduar mandati.
Kryetari i këtij Këshilli, Eshref Shabani, e pranon që ky këshill nuk mund të jetë funksional me vetëm dy anëtarë.
Shabani thotë që në drejtim të këtij këshilli, kanë ardhur ankesa të shumta, të cilat nuk ka kush të i shqyrtojë.
E se ka punësime në baze partiake dhe nepotizëm, e thonë edhe në organizatën Çohu.
Besnik Boletini, hulumtues në këtë organizatë, thotë se mosfunksionimi i këtij këshilli, vetëm sa ua lehtëson partive që t’i punësojnë militantët e tyre.
Kurse kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Nait Hasani thotë që është hapur një konkurs për anëtarë të rinj të këtij këshilli, por të interesuarit ende nuk janë intervistuar.
Madje ai thotë se Kuvendi nuk e ka marr mundin që të krijoj një komision adhoc që do ta kryente këtë punë, derisa këshilli është jofunksional.
Në fund, Hasani ka thënë që në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës, si pike të rendit të ditës, duhet të jetë formimin e komisionit ad hoc, në mënyrë që të nis procesi për formimin sa më të shpejt të këshillit të pavarur mbikëqyrës Civil të Kosovës.