10:17 / E Enjte, 19 Korrik 2018 / indeksADMonline

Nuk mirëpritet ideja e BE-së për Asociacionin

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe po insistohet të bëhet sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel. Këtë e ka theksuar edhe njëherë Bashkimi Evropian duke thënë që kjo marrëveshje duhet të zbatohet pa vonesa të mëtejshme.

Në media së fundi qarkulloi deklarata e zyrtarëve të BE-së të cilët po kërkojnë që të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në pajtim me Ligjet e Kosovës por edhe Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2015, ashtu siç po insiston Beogradi zyrtar.

Por, një gjë e tillë po kundërshtohet nga Qeveria e Kosovës pasi që Gjykata Kushtetuese ka gjetur disa nene të Marrëveshjes së Brukselit që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

E në anën tjetër, deputeti i Nisma’s Socialdemokrate, Milaim Zeka në një prononcim për Indeksonline ka theksuar edhe njëherë që nuk do të votojë asgjë që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Çdo gjë që bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me pakon e Ahtisarit, unë si deputet nuk e votoj asnjëherë”, është shprehur Zeka.

Sipas tij, Brukseli nuk e ka problem Asociacionin por ka një problem tjetër, e që është shënjimi i vendeve si Kosova, Shqipëria e Maqedonia si vende myslimane.

“Unë e kam thënë edhe njëherë edhe po e ripërsëris, edhe Brukseli edhe Uashingtoni e ka shenju Kosovën dhe Shqipërinë, edhe Maqedoninë pjesërisht si vende myslimane. Ato kanë probleme të tjera, nuk e kanë problemin e Asociacionit. Nuk e ka pas Brukseli problem as demarkacionin, ajo po don me kriju luftë qytetare në Kosovë”, është shprehur Zeka.

Ai ka thënë se edhe qarqe të caktuara në Bruksel janë të ndikuara nga politika serbe dhe ruse, duke punuar që të shkaktojnë luftë qytetare në Kosovës. Gjë që arrihet duke mbajtur popullin e izoluar.

“Nuk ka presion aspak, por po them që qarqe të ndryshme në Bruksel të ndikuara nga politika serbe dhe politika ruse po donë me shkaktu luftë civile në Kosovë. Sepse duke e mbajt popullin e Kosovës të izolum, rinin e izolime nën një po ja bëjmë një shërbim të madh Erdoganit dhe nën dy po donë me shkaktu luftë civile në Kosovë”, ka përfunduar deputeti nga NISMA.

Ndryshe, njëri nga pjesëtarët e Listës Serbe, njëherësh edhe zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq, pati deklaruar për mediet serbe se partia e tij është kundër formimit të Asociacionit të komunave serbe sipas ligjeve të Kosovës./Indeksonline/