75 Mall Live Search
09:45 / E Enjte, 04 Shkurt 2021 / AR

Nuk ndalen dënimet për partitë politike, AAK dhe PDK gjobiten me nga 2 mijë euro në Prizren

Po vazhdojnë tubimet e partive politike nëpër gjithë Kosovën, por më pas po pasojnë edhe gjobat për shkeljen e masave kundër Covidit-19, shkruan Indeksonline.

Së fundi në Prizren u gjobitën me nga 2 mijë euro dy parti politike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Drejtori i Inspektoratit në Prizren, Edon Muqaj, e nisi ditën me publikimin e këtyre gjobave teksa tha se do të jenë të barabartë për çdo subjekt politik.

“Final 8 Kupa e Kosovës”, pa tifozë e tubimet e subjekteve politike të stërmbushura! Si Drejtori e Inspektorateve kemi një bashkëpunim të madh me inspektorët e AUV-së e kjo u vërtetua edhe mbrëmë ku pas inspektimit në mbrëmje kemi hasur në një tubim nga subjekti politik PDK, që i shkel të gjitha rregullat dhe ligjet e pandemisë.

Fatkeqësisht kemi njerëz që kanë humbur jetën nga COVIDI-19, biznese që kanë falimentuar si pasojë e ligjeve në fuqi, andaj më nuk do të rrijmë duarkryq as ndaj subjekteve politike, cilidoqoftë ai subjekt. Ftoj të gjitha subjektet politike para se të mendojnë për marrjen e votës nga qytetarët të mendojnë edhe për jetën e tyre! Boll ma! P.S. të gjitha gjobat do të shqiptohen vetëm me daljen e inspektorëve në vendngjarje dhe jo me anë të fotografive që gjithçka të jetë transparente edhe për subjektet politike”, u shpreh Muqaj./Indeksonline/