“Nuk pres që të vijnë forcat ‘Delta’ ta arrestojnë”, Berisha: Ramën do ta ndëshkojë populli shqiptar dhe opozita
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se ndryshe nga rasti i Nicolas Maduros, Edi Ramën do ta rrëzojë populli shqiptar.
“Edi Rama zhvillon farsë elektorale, njësoj si Maduro. Një nga shkaqet që u arrestua ishte edhe fakti që nuk zhvillon zgjedhje. Edi Rama zhvillon farsë elektorale. Këshilli i Europës, gardiani i zgjedhjeve të lira, thotë që duhet të ndahet partia nga shteti”, tha Berisha pas daljes nga SPAK-u ku ishte në zbatim të masës së sigurisë ndaj tij.
“Berisha ka deklaruar se zgjedhje me Edi Ramën nuk ka. Është populli shqiptar, opozita shqiptare, që do t’i japë Edi Ramës ndëshkimin e merituar. Unë e kam përshëndetur arrestimin e Maduros dhe ndëshkimin e tij, si një fitore për njerëzit e lirë, por nuk kam deklaruar ndonjëherë se forcat ‘Delta’ do të vijnë ta arrestojnë. Po, kam deklaruar, se në aferën McGonigal, Edi Rama është po aq kriminel sa McGonigal”, shtoi ai.

