10:38 / E Enjte, 01 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Nuk u ndërruan që prej vitit 1980, QKUK-së i dorëzohen sot 300 shtretër të rinj

Qendrës Klinike Universitare të Kosovës sot i janë dorëzuar 300 shtretërit e parë nga kontigjenti prej 750 sish, të cilët janë blerë për klinikat e saj.

Në dorëzimin e këtij kontigjenti, Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili tha se ka qenë nevojë e kamotshme blerja e shtertërve të rinj, pasi që disa nga shtretërit në QKUK nuk janë ndërruar me dekada të tëra.

“750 shtretër modern të pajisur me dyshekë për klinikat e QKUK-së. Kohës kur qytetarët tanë janë shtrirë në shtretër të vitit 1980 e të mbajtur nga blloqet, dërrasat dhe dyshekët e stërvjetëruar i erdhi fundi. Sot dorëzuam vetëm kontigjentin e parë prej 300 shtretërve për të siguruar qëndrim të dinjitetshëm qytetarëve tanë nëpër klinikat e QKUK-së”, tha ministri Ismaili, transmeton Indeksonline.

Më tej, ai shtoi se ky është vetëm kontigjenti i parë dhe se në vitin 2019 do të blihen edhe shtretër të tjerë edhe për Spitalet e Përgjithshme.

Kurse, drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se me ardhjen e këtyre shtretërve do të përmirësohet qëndrimi i qytetarëve tanë nëpër klinikat e QKUK-së.

“Blerja e shtretërve të rinj do të përmirësoj hospitalizimin e qytetarëve tanë,  i cili deri më sot nuk ka qenë në nivelin më të mirë”, ka thënë ai.

Nga 750 shtretër të cilët kanë vlerën prej 1.3 milion euro, 300 prejt yre janë me 3 thyerje, 100 me 4 thyerje, 15 shtretër janë me 4 thyerje për Ortopedi, 20 shtretër janë transportues dhe 300 të tjerë mekanik, thuhet në komunikatën për media./Indeksonline/