13:17 / E Martë, 14 Mars 2023 / S Z

Nuk ua kryen pagesat, pacientët e akuzojnë për mashtrim Fondin për Sigurime Shëndetësore

Pacientëve të cilët referohen jashtë vendit për trajtim, në mungesë të një trajtimi të tillë në SHSKUK, u paguhet një pjesë e kostos nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.  Por ka raste kur pacientet ka vite që janë trajtuar jashtë vendit dhe se ende nuk i kanë marrë të hollat, nga ky Fond.

Një rast i tillë është pacientja L.T e cila ishte rekomanduar nga SHSKUK-ja për trajtim jashtë vendit me datën 13.09 2021 dhe se ishte vlerësuar se është i nevojshëm trajtimi emergjent mjekësor.

E Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ka lëshuar fletë zotim për mbulim të shpenzimeve të trajtimit në bazë të çmimit referent apo pro faturës më të lirë për trajtim mjekësor.

“Fondi i Sigurimeve shëndetësore zotohet për përmbushje të obligimit financiar ndaj institucionit, në momentin e përfundimit të procedurave administrative, në bazë të  flet lëshimit dhe të faturës së shpenzimeve nga institucioni”, thuhet në fletë zotimin e lëshuar nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

Por pacientja L.T e cila ishte trajtuar në një spital turk, ishte detyruar që vet t’i sigurojë paratë dhe se kanë kaluar një vit e gjysmë dhe ajo nuk e ka marrë asnjë cent, nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

“Në Fondin për Sigurime na thanë se mjete paraprakisht për pagesën e spitalit atje nuk kemi. Sepse nuk ka mjete të mjaftueshme, por ne po ua japim një fletë garacion dhe ju dorëzone në spitalin në Turqi, kjo si dëshmi që Qeveria e Kosovës, do t’ua paguaj shërbimet në spital. Mirëpo, kjo letër fare nuk u mor parasysh në spitalin në Turqi. Ata thanë se janë lodhur me këso letra nga Kosova, pasi që pagesat nuk po bëhen për vite. Prandaj kërkuan që ne të paguajmë me para tona shërbimet në spital dhe pastaj kur Qeveria e Kosovës të bëjë pagesën në spitalin turk, ata morën përsipër që të na kthejnë paratë. Dhe tashmë po bëhen një vit e gjysmë që Fondi për Sigurime Shëndetësore nuk ka bërë pagesën. Madje sipas përgjigjes që japin ata, as që pritet shpejtë të bëhet pagesa”, tha ajo.

L.T madje ka dyshime në mënyrën se si pacientët paguhen nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore

“Ka raste kur Fondi ka paguar pacientë për trajtime që bëhen e ofrohen në Kosovë, gjë e cila është e padrejtë dhe se këto raste duhet hetuar. Neve që jemi detyruar të shkojmë jashtë vendit për trajtim për shkak se në Kosovë nuk ofrohen trajtime të tilla, përkundër që jemi raste urgjente nuk paguhemi. Kurse paguhen rastet që nuk janë urgjente dhe që kanë shërim edhe në Kosovë”, thotë ajo.

E gjithë kjo që po bëhet me pacientët, sipas saj është krim dhe se kërkon që ky Fond të hetohet. Ndërsa nuk kursen kritikat në adresë të Fondit, i cili sipas saj po mashtron qytetarët.

“Vërtetë është krim. T’i thuash pacientëve që në këtë vend nuk kanë shërim, t’i thuash të kompletojnë dokumentacionin dhe të marrin ofertat nëpër spitalet rajonale e më gjerë me premtimin se ne, pra Fondi ua mbulojmë shpenzimet dhe në fund pasi që rasti konstatohet urgjent, të thuhet se tani na nuk kemi para, por po ua japim një letër garanci, kurse paratë ua japim sa më shpejtë që është e mundur, dhe shkojnë vite e vite dhe Fondi nuk të bënë pagesa. Ky nuk është thjeshtë mashtrim por është krimi më i madh që shteti mund t’ia bëjë qytetarëve të vet. Këto raste duhet të ndalen urgjentisht. Duhet urgjentisht të paguhen borxhet ndaj pacientëve dhe urgjentisht duhet të hetohen e ndëshkohen maksimalisht, ata që kanë bërë e po bëjnë lojëra e keqpërdorime me këtë fond”, tha ajo.

Ndërsa “IndeksOnline” nuk ka mundur të marrë një përgjigje nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, se pse pagesat po zvarriten me vite.

” Ne kemi marrë emalin tuaj, për interesimin tuaj do të përgjigjemi me shkrim në kohën optimale”, ishte e vetmja përgjigje nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, pas pyetjeve të adresuara nga IndeksOnline. /IndeksOnline/