Numër rekord i të shtruarve në QKUK, 141 të prekur me Covid-19
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë të shtruar 141 pacientë me Covid-19 pozitivë.
Në Klinikën Infektive janë të shtruar 112 raste me Covid-19 pozitivë, në Pulmologji 20 pacientë me Covid-19 pozitivë me oksigjenoterapi, kurse në Mjekësinë Sportive, Njësia intensive janë të shtruar 9 pacientë me Covid-19 pozitivë, një nga ta i intubuar, kurse 5 të tjerë me CPAP dhe 3 të tjerë me maskë oksigjeni.
Nga 111 pacientët e Klinikës Infektive, 58 raste janë duke u trajtuar në reparte me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.
Në Repartin e Mjekimit Intensiv të Infektivit janë duke u trajtuar 6 raste, 2 raste janë në gjendje të rëndë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, 4 raste janë në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar me respirator.
Më 02.07.2020, nga Klinika Infektive janë lëshuar 5 pacientë, 3 pacientë Covid 19- pozitivë, por me gjendje stabile klinike dhe laboratorike dhe 2 të shëruar.