Numërimi i votave me kusht drejt fundit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është drejt fundit numërimi i fletëvotimeve me kusht për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ndërsa në proces numërimi kanë thënë se janë votat e dhëna nga personat me nevoja të veçanta.
Në ditën e zgjedhjeve, votimi me kusht është realizuar në 54 vendvotime të veçanta, në 38 komuna.
“Pas përmbylljes së këtij procesi, të mërkurën, në këtë qendër do të vijojë numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit të personave me nevoja të veçanta, i cili është zhvilluar në ditën e zgjedhjeve jashtë vendvotimeve dhe përmes ekipeve mobile. Numri i votuesve të regjistruar me nevoja të veçanta është më shumë se 3,467. Rezultatet nga ky numërim do të pasqyrohen në platformën për rezultate, në rubrikën “Rezultatet QNR – Nevoja të veçanta (VPNV)”, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.
Gjithashtu, bëhet e ditur se një ditë më parë është përmbyllur procesi i skanimit të listës së votuesve.
“Skanimi mundëson krahasimin e pjesëmarrësve në votim në vendvotimet e rregullta me ata që kanë votuar me kusht. Qëllimi është të identifikohen rastet eventuale kur një person ka votuar dy herë: në vendvotimin e rregullt dhe në atë me kusht”, ka bërë të ditur Elezi.
Ndërkohë, një ditë më parë me urdhër të PZAP-së, në QNR janë rinumëruar edhe 5 kuti votimi që i takonin 3 komunave të ndryshme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se tashmë është në fazën përfundimtare të aktiviteteve të cilat duhet të zhvillohen pas ditës së votimit për të ardhur deri te shpallja e rezultateve përfundimtare.