Numërimi i votave të kandidatëve, Bajrami: Nuk dihet se sa do të zgjasë ky proces

Është duke vijuar edhe sot procesi i numërimit të votave për kandidatë te deputetëve.
QNR-ja në sallën “1 Tetori” në Prishtinë u hap me kohë dhe komisionerët vijuan me numërimin e pakove të mbetura.
Kryesuesja komunale zgjedhore në Prishtinë, Fatmire Bajrami, u shpreh për IndeksOnlinen se sot u rinumëruan dy pako të mbetura nga dita e djeshme, numërimi i të cilave detyrimisht u ndërpre pas rënies së sistemit.
Në proces është numërimi i 12 pakove, nga 258 gjithsej në Komunën e Prishtinës.
Në këtë qendër do të numërohen edhe 7 pako me kusht dhe 11 të ekipeve mobile, shkruan IndeksOnline.
Bajrami tha se procesi po vijon me rregull, nuk është evidentuar ndonjë parregullësi dhe se fatmirësisht, rënia e sistemit sot nuk është duke i humbur të dhënat, përkatësisht votat e numëruara.
Sot është dita e tretë e numërimit, teksa Bajrami deklaron se nuk dihet se sa do të zgjasë ky proces deri në përfundim.
“Nuk mund të jap ndonjë ditë të caktuar se kur mund të përfundojë procesi i numërimit. E rëndësishme është që po punojmë me kapacitete maksimale dhe me intensitet të lartë. Vëzhguesit tashmë i kanë kuptuar kompetencat e tyre dhe nuk po ndërhyjnë në proces, kamerat jane aktive të gjitha, çdo gjë është transparente dhe asnjë ekces nuk është evidentuar”, deklaroi Bajrami./IndeksOnline/