75 Mall Live Search
12:54 / E Hënë, 24 Qershor 2024 / mp

Numri i turistëve të vdekur nga vala e të nxehtit në Greqi rritet në 6, të tjerë të zhdukur

Një turist gjerman 67-vjeçar është gjetur i vdekur në ishullin grek të Kretës, për shkak të motit jashtëzakonisht të nxehtë, duke e çuar në 6 numrin e te vdekurve. Turisti ishte nisur i vetëm në një kanion në rajonin e Sougia të dielën dhe pas disa orësh telefonoi gruan e tij për të raportuar se nuk ndihej mirë.

“Një operacion kërkim-shpëtimi filloi menjëherë dhe një njësi e posaçme e shpëtimit me dronë zbuloi trupin e burrit në kanionin e Tripitit”, tha një zyrtar i policisë për Reuters.

Ekipet e shpëtimit po kërkojnë gjithashtu dy gra franceze, 73 dhe 64 vjeç, në ishullin Sikinos dhe një polic 59-vjeçar amerikan që po pushonte në ishullin Amorgos.

Një 55-vjeçar amerikan u gjet i vdekur në ishullin grek të Mathraki në detin Jon, javën e kaluar, si dhe një turist holandez në ishullin Egje të Samos në fillim të muajit. Trupi i prezantuesit britanik, Michael Mosley, u gjet në Symi, një ishull tjetër i Egjeut, më 9 qershor, pas një operacioni kërkimi katërditor me avionë, dronë dhe varka. Ai ishte nisur për një shëtitje i vetëm në temperatura të larta, para se të zhdukej.