Nxënës e mësimdhënës të infektuar, shumë shkolla kalojnë në mësim online, flasin nga Ministria e Arsimit

Pas rritjes së rasteve me Covid-19, shumë shkolla kanë kaluar në mësim online. Deri më tani nuk dihet numri i saktë i mësimdhënësve dhe nxënësve të infektuar me koronavirus.
Indeksonline ka kontaktuar me Ministrinë e Arsimit, por nuk ka marrë përgjigje sa i përket kësaj.
Zëdhënësja e MASHTI-t, Iliriana Pylla, thotë se MASHTI apelon vazhdimisht që procesi mësimor të vazhdojë, ose me prezencë fizike ose sipas skenarëve të paraparë me Udhëzimin e rishikuar për organizimin e mësimit në kushte të pandemisë.
“Mund t`ju themi se aty ku situata pandemike është më e rënduar është në kompetencë të task forcave të shkollave dhe komunave që të vendosin për organizimin e mësimit në distancë për klasën apo shkollën, deri në përmirësim të kësaj situate.
Rëndësia e respektimit të masave dhe përcjelljes së vazhdueshme të situatës pandemike në nivel klase e shkoll, planifikimi i mirë, njoftimi me kohë dhe bashkëpunimi me prindër në rastet kur kalohet në ndonjë nga skenarët tjerë të mësimit është përgjegjësi e të gjithë akterëve e veqanërisht i udhëheqësve të shkollave“, shprehet ajo për Indeksonline.
Tutje, Pylla shton se janë Task Forcat në nivel komune që do të vlerësojnë dhe do të marrin vendime se me cilin skenar do të zhvillohet procesi mësimor bazuar në situatën epidemiologjike në komunat përkatëse.
Ndërsa, Drejtoritë Komunale të Arsimit do të kujdesen për respektim të masave të përcaktuara nga IKSHPK dhe për dezinfektim të vazhdueshëm të hapësirave shkollore.
“Përveç mësimit me prani fizike në shkollë, MASHTI ka në dispozicion edhe mundësitë për organizimin e mësimit online nëse paraqitet nevoja, si video-mësimet sipas planprogramit të klasave 1-9, që po vazhdojnë të transmetohen në televizionin publik (kanali RTK4), e që gjenden edhe në kanalin zyrtar të MAShTI, sikur edhe në platformën mësimore shkollat.org.
Shkollat janë të lira të shfrytëzojnë edhe platforma dhe aplikacione të tjera“, shtoi Pylla./Indeksonline/