Nxënësi 13-vjeçar shkon me armë në shkollën e Ferizajit, rezulton pronë e babait me leje

Një incident shqetësues është raportuar sot rreth orës 12:30 në një shkollë të Ferizajt, ku një nxënës i mitur, 13-vjeçar, është parë duke mbajtur një armë zjarri në hapësirat e shkollës.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, njësiti i planit operativ “Siguria në shkolla” ka reaguar menjëherë pas marrjes së informatës. Gjatë kontrollit, policia ka gjetur një armë zjarri – një pistoletë pa fishekë.
“Arma ishte në pronësi të prindit të nxënësit, që posedonte leje të rregullt për mbajtje të armës. Arma e zjarrit dhe municioni janë konfiskuar nga prindi me proces të rregullt policor. I mituri, për shkak të moshës, nuk është intervistuar, në përputhje me ligjin.Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit – Departamenti për të Mitur, i cili ka iniciuar shënim zyrtar, nën kompetencë të prokurorit për veprime tjera.”, ka deklaruar ai për IndeksOnline.
Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë poseduesit e armëve me leje, e veçanërisht prindërit, që të sigurojnë armët e tyre në mënyrë të sigurt, duke parandaluar qasjen e fëmijëve apo personave të paautorizuar, me qëllim të ruajtjes së jetës dhe sigurisë publike.