Nxënësit do t’iu nënshtrohen garave në Kreativitetin Kulturor, pa mësuar për Teatrin dhe Filmin
Nxënësit e klasës së gjashtë deri ata në të nëntën në shkollat tona do t’iu nënshtrohen një testi për gara në Kreativitetin e Kulturor dhe Mendimin Kritik.
Në këto teste fëmijët duhet t’u përgjigjen pyetjeve në lidhje me Artin, pjesë e të cilit është edhe ai dramatik, pavarësisht asaj se shumë pak e thuajse fare nuk mësojnë për Teatrin dhe Filmin.
Kjo e ka bërë të reagojë edhe profesorin e Fakultetit të Arteve, Zymber Kelmendin, i cili ka thënë se para se të përpilohen ‘testet’ e tilla në shkollat publike, duhet të mendohet seriozisht për e futjen e lëndës Arti Dramatik.
Ndërsa ka shtuar se futja në një ‘garë’ të tillë për të cilën fëmijët e as mësuesit nuk kanë njohuri, nuk është aspak e drejtë.
Ky është postimi i Kelmendit:
Çka janë këto improvizime kot!?
A e dinë ata që kanë përpiluar këto “gara” se në shkollat publike në vend, në asnjë nivel nuk mësohet Arti Dramatik?
Para se të bëjnë Teste të tilla, duhet mendu seriozisht për futjen e lëndës Art Dramatik, në Shkollën e Mesme të Ulët dhe Shkollën e Mesme të lartë. Kjo është domosdoshmëri e kohës.
Çka mësojnë fëmijët tanë lidhur me Teatrin, Filmin, Aktrimin… sot, në shkollat tona? Maksimumi, “kur ka lindur dhe kur ka vdekur filan dramaturgu”! (Për filmin nuk besoj se flitet kund).
Andaj, mendoj se futja në një “garë” të tillë, për të cilën as fëmijët e as mësuesit nuk kanë fare njohuri, nuk është aspak e drejtë, e më se paku kreative!
Mos të presim ndryshim rezultatesh, me improvizime!
“Nëse doni diçka që kurrë nuk keni pasur, ju duhet të bëni diçka që kurrë nuk e keni bërë!”
