75 Mall Live Search
18:16 / E Martë, 11 Nëntor 2025 / B XH

“O flaka ju daltë krejt juve…” – Vajza e Sami Lushtakut i reagon deputetes së VV-së Adriana Matoshit

Vajza e Sami Lushtakut, Blerta, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të deputetes së Vetëvendosjes, Adriana Matoshit.

Kjo e fundit gjatë ditës, duke reaguar rreth procesit zgjedhor në Mitrovicë, ka shpërthyer në deklarata duke përdorur edhe gjuhë urrejtëse.

“O flaka ju daltë krejt juve bashkë me mëhallën e Lushtakëve se nuk vidhet Mitrovica”, ka qenë deklarata e deputetes Matoshi, raporton IndeksOnline.

Kjo ka nxitur reagime të shumat, e në mesin e tyre edhe të vajzës së Sami Lushtakut, Blertës.

Kjo e fundit përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se mjaftë më me urrejtës e me shpifje.

“Kjo që lexova nuk është më kritikë politike, është fyerje ndaj njerëzve që kanë dhënë gjithçka për Kosovën”, ka shkruar Blerta Lushtaku. /IndeksOnline/

Postimi i plotë i saj:

MJAFT MË ME URREJTJE E ME SHPIFJE.

Kjo që lexova nuk është më kritikë politike, është fyerje ndaj njerëzve që kanë dhënë gjithçka për Kosovën.

Nuk mund të hesht kur dikush, aq më tepër një deputete e zgjedhur dhe një nënë, përdor fjalë si “mahalla e Lushtakëve” me përçmim dhe guxon t’i krahasojë bijtë e Drenicës me Vuçiqin e Radojiçiqin.

Kjo është e ulët, e padrejtë dhe e papranueshme për çdo njeri që e njeh historinë e këtij vendi.

“Mahalla e Lushtakëve” nuk është thjeshtë një vend, është simbol i sakrificës, i rezistencës dhe i krenarisë sonë kombëtare.

Është lagjja që ka derdhur gjak për Kosovën, që ka mbijetuar burgje, tortura dhe përsekutime brez pas brezi.

Kush flet me përbuzje për të, po fyen një histori të tërë.

Nuk kërkoj as mëshirë, as lavdi, kërkoj drejtësi, dinjitet dhe respekt.

Kërkoj që kjo gjuhë e urrejtjes të ndalet dhe që deputetja të kërkojë falje publike, sepse ky nuk është vetëm sulm personal , është sulm ndaj vlerave mbi të cilat u ngrit Kosova e lirë.

Ne nuk do ta lejojmë askënd të fyejë gjakun që u derdh për këtë tokë.

Nuk kemi luftuar për t’u ndarë në “mahalla”, por për t’u bërë një komb.

Unë jam krenare që jam vajza e një luftëtari të lirisë, që jam bijë e rritur dhe e edukuar në frymën e atdhedashurisë në Lagjen Lushtaku, dhe nuk do të lejoj askënd të nëpërkëmbë këtë emër.

Kur babai im u nis për luftë, unë isha vetëm gjashtë vjeçe.

Ai nuk e dinte nëse do të kthehej i gjallë, por shkoi  pa e kthyer kokën mrapa sepse besonte në Kosovën që sot disa po e përçajnë me fjalë të rënda e të padrejta.

Mjaft është mjaft . Një nënë, një deputete, një aktore duhet të jetë shembull i kulturës, i shërbimit dhe i profesionalizmit,  jo të nxisë urrejtje e përçarje.

BLERTA SAMI LUSHTAKU