75 Mall Live Search
16:02 / E Enjte, 10 Maj 2018 / indeksADMonline

OAK: Edhe bizneset të mbrohen me ligj

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) organizoi një takim me Kryeinspektorin e Inspektoriatit të punës z. Basri Ibrahimi, ku u diskutua mbi zbatimin e ligjit të punës dhe sigurinë në punë.

Gjatë këtij takimi Oda e Afarzimit të Kosovës së bashku me disa biznismenë dhe biznismene, parashtruan shumë ankesa në ligjin aktual dhe kërkuan që ky ligj të ndryshohet sa më shpejtë sepse draftimi i ndryshimit të ligjit është duke vazhduar që nga viti 2013.

Ndër ankesat që i parashtroi OAK së bashku me anëtarët e saj janë:

1. Të bëhet harmonizimi i ligjit të punës me ligjin mbi inspektoratin e punës;

2. Të ketë dënime edhe për punëtorët që lëshojnë punën jashtë kontratës së punës;

3. Të hiqet detyrimi që biznesi të jetë përgjegjës në rast se lëndohet me fajin tij;

4. Të përcaktohet afati i ankesës për punëtorët që largohen nga biznesi ashtu siç është e rregulluar për punëtorët e institucioneve shtetërore;

5. Gjykatat të inkorporojnë drejtësi dhe jo favorizime në dëme të biznesit dhe shumë probleme të tjera.

Ndërsa në pjesën e debatit të hapur, bizneset kishin rastin që të zhvillojnë bashkëbisedime e të drejtojnë shqetësimet e tyre konkrete dhe padrejtësitë që u bëhen gjatë shqiptimit të gjobave, që në shumë raste ndodhin edhe kur vetë të punësuarit janë në faj e nuk i përfillin rregullat e punës të cilat kërkojnë që në mënyrë strikte të bartin pajisjet mbrojtëse.

Në këtë takim, ishin prezente edhe disa biznese anëtare të OAK-së të cilat kishin rastin bënin pyetje direkte tek Kryeinspektori lidhur me paqartësitë dhe çështjet me interes për biznesin.

Disa çështje kryesore që u theksuan ishin rëndësia e pajisjes së të punësuarve me kontrata të punës, mbrojtja në punë, pushimet vjetore, aksidentet në vendin e punës, rëndësia e certifikimeve të punëtorëve për siguri në punë e procedurat disciplinore.

z. Ibrahimi theksoi se ndonëse gjendja e sigurisë dhe mbrojtja e shëndetit në punë është më e mirë krahasuar me vitet e kaluara, por ka ende hapësirë për përmirësim. Si shqetësim vazhdon të jetë numri i lartë i vdekjeve dhe lëndimeve që ndodhin në vendet e punës, si pasojë e respektimi te ligjit.

Duke e krahasuar me vitin e kaluar që vdekshmëria në vendin e punës ka qenë me 14 raste fatale, për vitin 2018 gjendja është alarmante, këtë vitë numri i të vdekurve në punë deri më tash është 5, gjë që i shtyn inspektorët të marrin më shumë masa disciplinore dhe do të shqiptohen më shumë gjoba për kompanitë që bëjnë shkelje.

Gjatë viteve paraprake, punëtorët në sektorin e ndërtimtarisë janë cilësuar si më të rrezikuarit në vendin e punës duke funksionuar pa përdorim adekuat të mjeteve personale mbrojtëse. Ndërsa, në vitin 2018 gjendja e deritanishme është alarmante, theksoi më tutje ai.

Takimin e udhëheqi nënkryetari i OAK-së, Arsim Selmonmusaj.