09:06 / E Enjte, 25 Qershor 2020 / indeksADMonline

OAK kërkon nga Ministri Krasniqi përkrahje në përmirësimin e klimës së biznesit

Vakumi i infrastrukturës ligjiore, iniciimi i Ligjit për Tregti të Brendshme, krijimi i ofertave për biznesin, funksionalizimi i Ligjit për Investime Strategjike, ndryshim/plotësimi i Ligjit për Shoqëritë Tregtare dhe përkrahja më e madhe e prodhimit vendor ishin kërkesat që Oda e Afarizmit të Kosovës adresoi në takimin me Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë Vesel Krasniqi.

Gjatë këtij takimi u diskutua për sfidat me të cilat po ballafaqohen bizneset si rezultat i pandemisë, ekzekutimin në tërësi sa më parë të pakos emergjente dhe finalizmin e pakos së rimëkëmbjes e cila do të ndihmonte bizneset gjatë kësaj periudhe.

OAK theksoi rëndësinë që bashkarisht të lobohet për zgjidhjen e shumë problemeve me të cilat ballafaqohen bizneset, duke veçuar Ligjin për Tregti të Brendshme i cili ka rëndësi jetike dhe do të rregullonte shumë çështje sa i përket operimit në tregun e brendshëm, krijimin e ofertave për bizneset e interesuara për rritjen e investimeve të tyre, duke stimuluar dhe ofruar pako konkrete çoftë për investitorët vendor ashtu edhe ata ndërkombëtar si dhe trajtimin me prioritet të kërkesave për statusin e investitorit strategjik dhe plotësim/ndryshimin e Ligjit për Investime Strategjike duke u bërë rishikimi i kushteve dhe krijimit të lehtësirave për bizneset.

Anëtari i bordit Hasan Gigollaj theksoi çështjen e Ligjit për Shoqëritë Tregtare, përkatësisht nenin 34 pika 2.5 që obligon Shoqëritë Aksionare që në bordet e tyre të kenë 50 % gra. Gigollaj shtoi që kuota gjinore është mirë të respektohet duke qenë e preferuar por jo obligative meqenëse ka tendencë që përmes ligjeve të ndërhyhet në menaxhimin e bizneseve private.

Kurse anëtari i bordit Hysni Zogaj veçoi aktivitetet që OAK është duke ndërmarrë me qëllim që të trajtojë problemet e bizneseve, të avokojë dhe lobojë për zgjidhjen e tyre. Zogaj shtoi që minierat dhe bujqësia janë dy sektorët më me potencial për zhvillimin e vendit andaj si të tillë duhet të përkrahen sa më shumë.

Ndërsa anëtari i bordit Lulzim Begaj theksoi nevojën urgjente të formimit të komisionit ndërministror për shqyrtimin dhe trajtimin e kërkesave aktuale të investitorëve strategjik.

Ministri Vesel Krasniqi shpalosi prioritetet e digasterit që ai drejton dhe u zotua që të ofrojë përkrahje në tejkalimin e sfidave të bizneseve. Krasniqi shtoi që mbështetja e prodhuesve vendor dhe fuqizimi i tyre për eksport nëpërmjet programeve përkrahëse janë prioritet i tij.

OAK u shpreh e gatshme që të ofrojë ekspertizën e saj sa here që është e nevojshme.

Në këtë takim OAK u përfaqësua nga: Skënder Krasniqi – kryetar i bordit, Hasan Gigollaj, Hysni Zogaj dhe Lulzim Begaj – anëtar të bordit dhe Qendresa Ibrahimi – koordinatore në OAK.