15:17 / E Enjte, 19 Nëntor 2020

Obama thotë se “nuk është i befasuar nga refuzimi i Trump për të bërë një tranzicion paqësor të pushtetit”

Ish-presidenti Barack Obama ka thënë se ai nuk e priste zgjedhjen e Donald Trump në vitin 2016 dhe “nuk është i befasuar” nga refuzimi i tij për të bërë një tranzicion paqësor.

Në një intervistë me gazetën spanjolle “El Pais” për të promovuar librin e tij “Toka e Premtuar”, Obama krahasoi hezitimin e administratës së Shtëpisë së Bardhë për të pranuar humbjen ndaj Joe Biden me pasojat e zgjedhjeve të vitit 2016 që vendosën Trump në detyrë.

Obama tha se ai e kishte telefonuar për të uruar Trumpin në natën e fitores së tij dhe kishte bërë plane të menjëhershme për të ndihmuar administratën e re, duke mësuar nga ndihma e ofruar nga paraardhësi i tij George W. Bush.

Obama i tha gazetës se “një transferim paqësor i pushtetit midis partive është pjesë e asaj që e bën një demokraci të funksionojë”, duke shtuar: “Ne nuk vonuam për javë të tëra duke pretenduar se nuk kishte ndodhur”.

“Unë e aranzhova që të gjitha agjencitë dhe ekipet e mia të përgatisnin manuale për tranzicionin”, tha ai, transmeton telegraf.

Ndryshe, më shumë se dy javë nga zgjedhjet, Trump ka refuzuar të pranojë dhe vazhdon me sfidat ligjore, duke pohuar pa prova se votimet janë dëmtuar nga mashtrimet.

“Unë jam i trishtuar të them se në fund të presidencës së Donald Trump, unë nuk u habita që ai po vepron ashtu siç po vepron”, tha Obama.

Duke përshkruar se si ai e sheh ndryshimin që SHBA ka parë gjatë katër viteve që ai u largua nga detyra, Obama tha: “Nuk ka dyshim se disa dëme të mëdha janë bërë si këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në botë”.

Kujtimet e Obamës thuhet se kanë thyer rekorde në ditën e parë të publikimit, duke shitur 887,000 kopje në SHBA dhe Kanada.