75 Mall Live Search
19:26 / E Shtunë, 29 Qershor 2024 / MSH

O’Brien: Na është premtuar që Radoiçiqi do të përballet me ligjin në Serbi

Në forumin që po mbahet në Dubrovnik po merr pjesë edhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien.

Në fjalën e tij, O’Brien tha se Serbia ka premtuar se Milan Radoiçiqi do të përballet me ligjin lidhur me ngjarjet e shtatorit në Banjskë dhe se pret që Serbia të mbajë premtimin.

“SHBA-ja dhe BE-ja në mënyrë të vazhdueshme kanë thënë se krimet e kryera në shtator [në Banjskë] duhet të ndëshkohen. Ne presim dhe besoj se na është premtuar se zoti Radoiçiq do të kalojë nëpër një proces të plotë ligjor në Serbi. Është gjë e mirë që duket se nuk është aktiv në veri të Kosovës, siç ka qenë më herët, shohim se nga kjo ka përfitime pozitive. Ndaj tij është ngritur akuzë dhe presim që procesi ndaj tij të përfundojë”, tha O’Brien .

Duke folur për Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën, O’Brien tha se në dy shtetet duhet të përjashtohet mundësia e përdorimit të forcës për zgjidhjen e çështjeve.

“Mendoj se po ashtu duhet të jemi të qartë se përdorimi i forcës për të arritur te zgjidhja duhet të përjashtohet. Kjo përfshin pjesët më të ndjeshme të Bosnjë e Hercegovinës dhe në veri të Kosovës dhe mendoj se këtu aktorët relevantë shtetërorë kanë ndërmarrë qëndrime të forta se nuk mbështesin përdorimin e forcës në këto zona. Por, ne na duhet ta largojmë diskutimin për dhunën, dhunës shtetërore. Kjo do të na mundësonte që të përdorim mjetet që kemi në një mënyrë që ne mendojmë se do të ishte produktive”, tha O’Brien.

Në panelin e njëjtë të diskutimit, e pranishme ishte edhe kryediplomatja Donika Gërvalla. Në lidhje me sulmin e Bajnskës, ajo përmendi që Milan Radojiçiq nuk është dënuar ende.