16:45 / E Enjte, 06 Gusht 2020 / indeksADMonline

OBSH: Avioni me 20 tonë furnizime shëndetësore zbarkon në Bejrut

“Pajisjet do të mbulojnë 1 mijë ndërhyrje të traumës dhe 1 mijë ndërhyrje kirurgjikale për njerëz që vuajnë nga lëndime dhe djegie si pasojë e shpërthimit”, tha OBSH.

Një aeroplan që transportonte 20 tonë furnizime shëndetësore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka zbarkuar në Bejrut për të mbështetur trajtimin e pacientëve të plagosur nga shpërthimi masiv që tronditi kryeqytetin libanez, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Pajisjet do të mbulojnë 1 mijë ndërhyrje të traumës dhe 1 mijë ndërhyrje kirurgjikale për njerëz që vuajnë nga lëndime dhe djegie si pasojë e shpërthimit”, tha OBSH.

Në përgjigje të urgjencës shëndetësore, qendra logjistike e OBSH-së në Dubai organizoi dhe përcolli dërgesën.

“Po punojmë nga afër me autoritetit kombëtare të shëndetësisë, partnerët shëndetësorë dhe spitalet që trajtojnë të plagosurit për të identifikuar nevojat shtesë dhe për të siguruar mbështetje të menjëhershme”, citohet të ketë theksuar Dr. Iman Shankiti, përfaqësuesi i OBSH-së në Liban.

Për shkak të shpërthimit, OBSH tha se tre spitale në Bejrut aktualisht janë jo funksionale, ndërsa dy janë dëmtuar pjesërisht. Sipas OBSH-së, kjo vendos një “hendek kritik” në kapacitetin e shtretërve spitalor.

Pacientët e lënduar po transferohen në spitale në mbarë vendin nga qyteti jugor Saida deri në atë verior Tripoli.

OBSH njoftoi se furnizimet do t’i shpërndajë në spitalet prioritare të Libanit që pranojnë dhe trajtojnë pacientë të plagosur.

“Kjo urgjencë e fundit vjen në kontekstin e trazirave civile, në një krizë të madhe ekonomike, në shpërthimin e virusit COVID-19 dhe në barrën e madhe të refugjatëve”, tha OBSH, duke përmendur “rezistencën legjendare të popullit libanez”.

Të martën, Bejruti dhe rrethina e saj u tronditën nga një shpërthim masiv, që la të vdekur të paktën 135 persona dhe rreth 5 mijë të tjerë të plagosur.

Kryeministri Hassan Diab të mërkurën e shpalli “ditë zie kombëtare”.

Shpërthimi tronditi Libanin përderisa vendi po përjeton krizën e saj më të keqe ekonomike, së bashku me rënien dramatike të vlerës së paundit libanez ndaj dollarit amerikan.