14:34 / E Mërkurë, 28 Tetor 2020 / B O

OBSH-ja konfirmon rekordin e ri të pandemisë: Mbi 2 milionë raste në një javë

Mbi 2 milionë raste me koronavirusin janë regjistruar në të gjithë botën gjatë javës së kaluar, ka deklaruar OBSH-ja- një rritje eksponenciale që nga fillimi i pandemisë në një periudhë kaq të shkurtër.

Në një analizë javore të COVIDIT-19, OBSH-ja tha për javën e dytë radhazi, se rajoni europian ka raportuar numrin më të madh të rasteve të reja, me më shumë se 1.3 milionë raste të raportuara ose rreth 46% të totalit në të gjithë botën. Agjencia Shëndetësore e OKB-së tha se numri i viktimave ishte gjithashtu në rritje në Evropë, me rreth 35% më shumë në krahasim me javën e kaluar.

“Megjithëse numri i viktimave po rritet gradualisht, përqindja e viktimave në krahasim me rastet mbetet relativisht e ulët, krahasuar me fazën e hershme të pandemisë në pranverë”, tha OBSH-ja.

Agjencia gjithashtu vuri në dukje se janë rritur shtrimet në spital dhe mungesa e ICU -së për shkak të COVIDIT-19 në 21 vende në të gjithë Evropën.

Rreth 18% e personave të infektuar me COVID-19 janë shtruar në spital dhe rreth 7% kanë nevojë të shtrohen në terapi intensive ose kanë nevojë për oksigjen.

Globalisht, OBSH-ja tha se vendet që kanë raportuar numrin më të lartë të rasteve mbeten të njëjta: India, SHBA-ja, Franca, Brazili dhe Britania.