12:56 / E Enjte, 11 Prill 2024 / S Z

OBSH: Ngacmimi kibernetik prek një në gjashtë nxënës shkolle

Pavarësisht nëse është fizik apo psikologjik, bullizmi dhe forma të tjera të dhunës së bashkëmoshatarëve mes të rinjve nuk janë asgjë e re. Në fakt, tendencat e përgjithshme janë të qëndrueshme.

Por një studim i 44 vendeve në Evropë, Azinë Qendrore dhe Amerikën e Veriut tregon një rritje të bullizmit kibernetik që nga viti 2018.

Studimi “Sjellja shëndetësore tek fëmijët e moshës shkollore” (HBSC) botuar në fund të marsit (27.03.2024) nga OBSH/Evropë (Organizata Botërore e Shëndetësisë) identifikon “digjitalizimin në rritje të ndërveprimeve të të rinjve” si shkakun kryesor të bullizmit kibernetik.

Në një deklaratë për media të së njëjtës ditë, Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, tha se raporti ishte “një alarm zgjimi”. “Me të rinjtë që kalojnë deri në gjashtë orë në internet çdo ditë, edhe ndryshime të vogla në shkallën e ngacmimit dhe të dhunës mund të kenë implikime të thella për shëndetin dhe mirëqenien e mijëra njerëzve”, tha Kluge, duke theksuar si pasoja të mundshme vetëdëmtimin dhe vetëvrasjen.

Gjetjet kryesore të studimit

Studiuesit u bënë thirrje pjesëmarrësve të studimit – adoleshentët 11, 13 dhe 15 vjeç – të raportojnë sjelljen dhe përvojat e tyre me ngacmimin. Mesatarisht, më shumë djem, sesa vajza pranuan se kishin ushtruar dhunë ndaj bashkëmoshatarëve të paktën 2-3 herë në muaj gjatë “dy muajve të fundit” (para kohës së anketimit).

Dhe “prevalenca e përgjithshme e bullizmit kibernetik” ishte më e larta në moshën 13 vjeç dhe “dukshëm më e lartë” midis djemve të të gjitha moshave, shkruajnë autorët e studimit.

Ata vunë në dukje se mes djemve të anketuar, 15-vjeçarët në Lituani raportuan prirjen më të lartë për ngacmimin kibernetik të të tjerëve. Midis vajzave, 13-vjeçarët në Rumani kishin më shumë gjasa për t’u përfshirë në një sjellje të tillë.

Nga ana tjetër, rreth një në 10 djem dhe vajza raportuan se ishin ngacmuar në shkollë të paktën dy ose tri herë në muaj gjatë dy muajve të fundit.”Në përgjithësi, 15% e adoleshentëve thanë se ishin ngacmuar kibernetikisht të paktën një ose dy herë në dy muajt e fundit (15% e djemve dhe 16% e vajzave)”, shkruajnë autorët e studimit.

Një në 10 adoleshentë raportoi se ishte përfshirë në përleshje fizike të paktën tri herë në 12 muajt e fundit (14% e djemve dhe 6% e vajzave).

Ngacmimi kibernetik: Një çështje gjinore?

Studiuesit thanë, se kontatuan që djemtë shfaqnin një tendencë më të lartë ndaj agresionit dhe përfshirjes në përleshje fizike sesa vajzat.

Si djemtë dhe vajzat shfaqin një prevalencë të ngjashme për bullizmin kibernetik. Por studiuesit konstatojnë, se ngacmimi kibernetik është në rritje mes vajzave të moshës 11 dhe 13 vjeç.

Si e përkufizon studimi bullizmin kibernetik?

Në sondazh, studiuesit pyetën të rinjtë nëse ata kishin dërguar (ose kishin marrë pjesë në dërgimin e) “mesazheve të menjëhershme, postimeve në mur ose e-maileve, ose postimit ose ndarjes së fotografive, ose videove në internet pa leje”.

Autorët thanë, se ndërsa ngacmimi kishte qenë “tradicionalisht” ndaj personit midis bashkëmoshatarëve, “format virtuale të dhunës së bashkëmoshatarëve janë bërë veçanërisht të rëndësishme që nga fillimi i pandemisë COVID-19, kur bota e të rinjve u bë gjithnjë e më virtuale gjatë kohës së izolimit”.

Reduktimi i bullizmit kibernetik

Studiuesit thonë, se shpresojnë që gjetjet e tyre do të përmirësojnë të kuptuarit e ngacmimit të adoleshentëve dhe dhunës së bashkëmoshatarëve në të gjithë Evropën, Azinë Qendrore dhe Kanada dhe do t’u mundësojnë ekspertëve të “shënjestrojnë ndërhyrjet në mënyrë efikase”.

Kjo do të përfshinte “strategji të ndjeshme ndaj gjinisë” për të trajtuar dhe reduktuar problemin e ngacmimit dhe programe për të promovuar arsimimin dixhital, ndjeshmërinë dhe zgjidhjen e shëndetshme të konflikteve.

Në një email për DW, Joseph Hancock i HBSC shkroi: “Suksesi kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm midis të gjitha palëve të interesuara. Ne u bëjmë thirrje individëve, familjeve, shkollave, komuniteteve dhe qeverive të punojnë krah për krah për të siguruar që të gjithë adoleshentët të kenë mjedise të sigurta dhe mbështetëse për t’u zhvilluar”. /DW