OBSH: Nuk ka prova që lidhin paracetamolin me autizmin

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dalë me një deklaratë mbi çështjet e autizmit dhe përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë.
Sipas OBSH-së, deri më tani nuk ka prova shkencore përfundimtare që tregojnë se përdorimi i këtij ilaçi mund të shkaktojë çrregullime të spektrit të autizmit tek fëmijët.
Tutje OBSH nënvizon se shkaqet e autizmit janë komplekse dhe përfshijnë një kombinim faktorësh gjenetikë dhe mjedisorë, ndërkohë që përdorimi i ilaçeve gjatë shtatzënisë është vetëm një nga shumë aspektet që po studiohen.
OBSH rekomandon që gratë shtatzëna të vazhdojnë të ndjekin udhëzimet e mjekëve dhe profesionistëve shëndetësorë për përdorimin e ilaçeve, duke i përdorur ato vetëm sipas nevojës dhe me kujdes të veçantë, sidomos gjatë tremujorit të parë.
Organizata nënvizon gjithashtu rëndësinë e përdorimit të vaksinave sipas orarit të imunizimit të fëmijërisë, duke sqaruar se studimet e mëdha nga vende të ndryshme kanë treguar se vaksinat nuk shkaktojnë autizëm.
“Aktualisht, rreth 62 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me çrregullime të spektrit të autizmit. Organizata nënvizon se mbështetja për personat autikë dhe familjet e tyre është e rëndësishme dhe duhet të përfshihet si pjesë e përpjekjeve globale për shëndet mendor dhe neurologjik, duke përfshirë edhe diskutimet në nivel të lartë në OKB për NCD-të dhe shëndetin mendor.” thuhet në njoftimin e OBSH-së
Deklarata e OBSH- së, vjen pas pretendimeve të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili ka deklaruar se përdorimi i paracetamolit gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë autizëm tek fëmijët.